Aktualitet “Motoristi”, arrestohet 34-vjeçari që shpërndante kokainë në Pogradec

“Motoristi”, arrestohet 34-vjeçari që shpërndante kokainë në Pogradec

Policia e Pogradecit ka finalizuar një aksion policor të koduar “Motoristi” për goditjen e shpërndarjes së kokainës në qytet.

Në pranga ka rënë 34-vjeçari Arjon Olldashi, me precedent të mëparshëm në fushën e narkotikëve.

Në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, se Arjon Olldashi ushtronte aktivitetin kriminal të shpërndarjes së drogave të forta, shërbimet e Policisë organizuan veprimet dhe bënë lokalizimin e tij, në lagjen nr. 1 Pogradec, gjatë kohës që po lëvizte me një motor tip “Suzuki”. Gjatë kontrollit fizik, këtij shtetasi iu gjetën dhe iu sekuestruan 4 doza me lëndë të dyshuar narkotike kokainë dhe një shumë lekësh, që dyshohet se e ka përfituar nga shitja e lëndës narkotike.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e Arjon Olldashit gjetën dhe sekuestruan: 1 armë zjarri pistoletë me silenciator, 1 krehër me 9 fishekë, 2 thika, rreth 40 gramë lëndë e dyshuar narkotike kokainë, 1 peshore elektronike, 19 aparate celulare dhe 2300 euro.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.