Ish-trajneri i Romës, Jose Mourinho, është gati të nisë një aventurë të re trajneri, këtë herë ligën kryesore të Turqisë. Pasi u shkarkua nga Roma në janar, “Special One” priti që të vinte projekti i duhur.
Sipas Gianluca Di Marzio të Sky Sport, disa oferta nga Turqia mbërritën në prag të verës për Mourinhon. Tekniku portugez më në fund ka vendosur të përqafojë projektin e Fenerbahçes.
Negociatat u zhvilluan mes menaxherit të Mourinhos dhe drejtorit sportiv të Fenerbahçes, Mario Branco, i cili, ashtu si Mourinho, është portugez.
Di Marzio raporton se Mourinho pritet të nënshkruajë një kontratë 2-vjeçare me Fenerbahcen, pra deri në vitin 2026.
José Mourinho është shndërruar indirekt një nga protagonistët e mëdhenj të zgjedhjeve presidenciale te Fenerbahce, që do të mbaheshin në qershor.
I pari që e shfrytëzoi emrin e tij si një burim të vërtetë elektoral ishte Aziz Yildirim, ish-president i Fenerbahçes për dhjetë vjet deri në vitin 2018, i cili javët e fundit ka dashur t’ia besojë stolin portugezit.
Sipas asaj që raportohet në “Abola”, Ali Koç, president aktual i klubit, i cili po rikandidon për një mandat të ri trevjeçar, jo vetëm që ëndërron për Mourinhon, por tashmë ka shkuar shumë më tej, aq sa ka arritur një marrëveshje me të.