Luçiano Moxhi ka shuar shpresat e tifozëve të kuq për një titull kampion në sezonin futbollistik 2017-2018.
Këshilltari kryesor i presidentit Gaz Demi rinxjerr objektiv të ri: vendin e dytë, ose të tretë.
Një afat kohor prej 10 ditësh ka edhe për sulmuesin Edgar Çani, për t’u riuperuar dhe qenë gati për lojë, në të kundërt ai do të largohet. Në një prononcim për “Top Channel”, Moxhi do të nënvizonte:
“Sigurisht, jemi larg pritshmërive që kishim në fillim të sezonit. Me mungesën e rezultateve mund të themi që na mungon sulmuesi ynë, Çani. Është e sigurtë që neve në janar do të na duhet të afrojmë lojtarë dhe për këtë po shohim brenda dhe jashtë vendit. Por, për momentin duhet të presim edhe rreth 10 ditë Çanin, nëse rikuperon ose jo, përndryshe do të prishim marrëveshjen. Do të përpiqemi që të mbërrijmë në janar me sa më shumë pikë të mundemi. Tashmë objektivi ynë nuk është më titulli kampion, por një nga 3 vendet e para”.
Veç Çanit, Moxhi ka vendosur të ketë edhe një afat për të pritur trajnerin Mark Iuliano: “Nuk është faji i trajnerit nëse nuk ka sulmues. Duhet të përjashtojmë faktin që është në dyshim trajneri, për momentin, sepse skuadra, siç e patë edhe në ndeshjen e fundit, luan mirë, por i mungon goli. Çdo trajner me këto probleme që ka skuadra nuk do të bënte më tepër. Megjithatë, nëse rezultatet do të mungojnë pas një, dy apo tri ndeshjesh, atëherë duhet parë edhe situata e trajnerit”.