Aktualitet Mposhti COVID-19, shqiptari në SHBA rrëfen situatën e vështirë që përjetoi

Mposhti COVID-19, shqiptari në SHBA rrëfen situatën e vështirë që përjetoi

Pandemia globale COVID-19 ka prekur rëndë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në 24 orët e fundit sipas të dhënave zyrtare kanë humbur jetën 1480 duke vendosur kështu një rekord të ri për këtë virus. Në total që nga shfaqja e tij, koronavirus u ka marrë jetën 7157 amerikanëve, ndërsa numri i të prekurve përllogaritet në mbi 270 mijë.

Sipas ambasadës shqiptare në Ëashington, mes viktimave nga COVID-19 ka deri tani edhe 9 shqiptarë. Tre nga Shqipëria, katër nga Maqedonia e Veriut dhe dy nga Mali i Zi, ndërsa numri i të prekurve ka shkuar mbi 30.

Euroneës Albania bisedoi me njërin prej shqiptarëve të prekur nga COVID-19 në Shtetet e Bashkuara. Ai tregoi se situata në Amerikë mbetet shqetësuese, pasi mungon informacioni dhe nuk të krijohet mundësia të bësh testin apo tamponin që vërteton praninë ose jo të infeksionit në trup.

“Tani besoj se po. Për mua kanë kaluar tre javë. Nga fillimi mendova thjesht se ishte një grip dhe nuk mendova se do të kthehej në diçka të tillë. Sa më shumë ditët kalonin, aq më e keqe u krijua situata për mua, pasi i kisha të gjitha simptomat. Nuk arrita të testohesha dot. Absolutisht ka një mos informim se çfarë ndodh në New York. Këtu situata është shumë e keqe. Në bazë të moshës që ke dhe në bazë të ndjesisë, ata (ekspertët) të thonë se do të marrin sërish në telefon për të të thënë se ku mund të shkosh të bësh një test. Telefonata nuk erdhi asnjëherë. Fatmirësisht kam dy miq të mi, që janë të dy doktorë. Në mënyrë virtuale me ata arrita ta kuptoja se me të vërtetë isha i sëmurë. Pas dhjetë ditësh, humba shijen dhe nuhatjen. Kjo ishte një nga gjërat që e vërtetoi se unë isha i sëmurë”, tha ai.

Shqiptari tashmë është shëruar plotësisht, por tregoi se në New York, situata është shumë e vështirë. Sipas Denisit, qeveria amerikane nuk bëri aq sa duhet përpara shfaqjes së virusit.

“Situata këtu është shumë e keqe. Që në mungesën e testeve, në mungesën e masave për të parandaluar. Këtu është bërë jashtë mase shumë pak për parandalimin e kësaj situate”, tha ai.

Si sipërmarrës, shqiptari në Amerikë tregoi vështirësitë më të cilat po përballet biznesi për shkak të kësaj pandemie globale. Sipas tij, problemi kryesor që godet qëndrueshmërinë e biznesit është bllokimi i rrjedhjes dhe qarkullimit të parasë.

“Unë mendoj se në përgjithësi për çdo biznes, problemi është rrjedhja dhe qarkullimi i lekut. Ka pothuajse katër javë që është bllokuar. Ky është një nga problemet më të mëdha. Problemi tjetër është harku kohor. Nuk dimë se kur do të hapen, çfarë masash duhen të merren”, shtoi ai.