Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me fermerët në Durrës. Kreu i qeverisë tha se gjatë kësaj periudhë krize ai që ka më shumë do bëjë më shumë sakrificë.
Teksa përmendi naftën, Rama tha se ministrat dhe ai vetë do të marrin 50% të naftës që zakonisht i paguan shteti. Gjysmën tjetër, ai u shpreh se ministrat do ta paguajnë vetë.
“Kush është me makinë ka më shumë mundësi është më shumë e thjeshtë. Të gjithë ne që kemi makina, dhe unë, ne ministrat, 50% të naftës që marrim zakonisht do ta paguajë shteti, 50% nëse do vazhdojmë të shpenzojmë do ta paguajmë vetë edhe ne nga pagat tona. Ose do kursejmë ose mua që nuk më rrihet pa shkuar këtej e andej do paguaj nga… Koncepti është i thjeshtë. Ai që ka më shumë ai do bëjë içik më shumë sakrificë. Por lufta nuk vjen për të sjellë të mira”, tha Rama.
Kryeministri u shpreh se goditja e tregut të naftës në të gjithë botën është si rezultat i pasigurisë ekstreme që krijon lufta. Nëse mbaron lufta, tha ai, ulen edhe çmimet.
“Lufta i sjell të gjitha këto. Dje isha me drejtorin e madh të kompanisë total, francezja. Janë një nga kompanitë më të mëdha të botës për naftën, gazin, energjinë dhe kështu me radhë. Kanë ardhur këtu se duan të investojnë në Shqipëri. Ma tha shumë qartë “goditja e tregut të naftës në të gjithë botën është rezultat i pasigurisë ekstreme që krijon lufta. Nuk është se ka rënë prodhimi i naftës në botë, por është pasiguria. Të gjithë ata që kanë rezerva nafte kanë rritur çmimin. Nëse lufta mbaron dhe nëse pasiguria bie, çmimi bie menjëherë se kështu funksionon sot ekonomia botërore se nuk e vendosim ne”.
Sa i përket Shqipërisë, Rama tha se kompanitë janë më të interesuara për gaz dhe jo për naftë pasi kostoja e rafinimit është shumë e lartë.
“Ne kemi këtu Shellin që po bën një eksplorim të rëndësishëm dhe ka nxjerrë gaz në Shpirag, është në fazën e kolaudimit për të parë sa është ky zbulim financiarisht interesant për ta se ka shkuar shumë thellë, e kanë nxjerrë gazin. Flitet për një sasi shumë të madhe gazi që do e ndryshonte shumë ekonominë shqiptare, por ende nuk është e testuar që kjo del me fitim. Kemi dhe Eni që po bën një eksplorim tjetër. Janë dy kompani shumë të mëdha. Totali është niveli i këtyre. Totali është niveli i këtyre. Nuk janë të interesuar për naftën në Shqipëri. Folëm dje, energjia diellore, energjia me erë, energjia hidro, energjia me gazin e lëngshëm që vjen me platforma nga deti, energjia me panele në det. për naftën thanë nuk kemi asnjë interes. Është naftë e rëndë, sasitë janë të vogla. Kostoja e rafinimit është shumë e lartë. Që të bësh diesel apo benzinë me atë naftë të del më shtrenjtë se ta marrësh nga fundi i votës”, u shpreh Rama