Nga Dritan Hila
Është e disata herë që Berisha premton protesta të fuqishme për të rrëzuar Ramën, dhe si rrjedhim është bërë viktimë e deklaratave të tij.
Tashmë po ia kërkojnë edhe ndjekësit e tij, si e vetmja mënyrë që të rrëzojnë qeverinë.
Mirëpo Berisha është ujk i vjetër dhe e ka të qartë që kjo rrugë nuk e sjell dot në pushtet. Jo më larg se dy vite më parë opozita, e cila për më tepër në ato vite ishte formalisht e bashkuar, organizonte protesta të vazhdueshme, por këto nuk e rrëzuan dot Ramën, përkundrazi, i dhanë fitoren.
Rasti i protestës së Ilir Metës ishte një lakmus që tregoi se pehashi i popullit opozitar është i ulët për të bërë reaksion.
Ndërkohë sistemi që ende u ka mbetur në mendje ndjekësve të tij, janë protestat të cilat troshitën pushtetin e Nanos para 20 vjetësh.
Mirëpo kohët kanë ndryshuar. Dje një pjesë e Tiranës ndiqte “Kavaleria Rustikana” në Teatrin e Operas; të tjerë ndiqnin “Ivanov” të Çehovit në Teatrin Turbina, kurse shumica po shijonte ditët e fundit me diell në bregdet ose të parat të ftohta në Malësi.
Stofi social i vendit ka ndryshuar, por mesa duket këtë vetëm në breg të Lanës nuk e kuptojnë. Shqiptarët janë bërë imunë nga parullat populiste mbi pensionet dhe varfërinë, ujin dhe korrentin. Jo se problemet nuk ekzistojnë. Por ata janë aq inteligjentë sa të kuptojnë se oferta, është që një pjesë të vjedhë në kurriz të komshiut, por asgjë realisht reformatore.
Gjithsesi në llogari të fundit, kaq gjë e di edhe Berisha, dhe për gjynah janë ata që besonin se protestat ndryshe të Berishës do rrëzonin Ramën. Tirana ka ndryshuar, Shqipëria ka ndryshuar. Kurse Berisha vërtet nuk është më në gjendje të prodhojë ide të reja, por sa të mbajë në ajër ata që e besojnë, di. Kjo nuk të bie në pushtet, por pushtetin tashmë nuk e do as ai vetë./dritare.net