Donald Trump shpalli “gjendjen e jashtëzakonshme” në kufi, gjë që do t’i lejojë atij përdorimin e fondeve të emergjencës për ndërtimin e murit të shumëdiskutuar në kufirin me Meksikën.
“Muri është i nevojshëm për të ndaluar krimet, drogën dhe një pushtim”, deklaroi shefi i Shtëpisë së Bardhë, që po kërkon një mënyrë për të shmangur paralizimin e administratës.
Mbyllja e fundit e pjesshme e qeverisë zgjati 34 ditë, më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara.
“Ndërtimi i murit nuk bëhet vetëm sepse është premtim fushate, por sepse është i domosdoshëm për shkak të fluksit të drogave që kalojne në kufirin tonë jugor. Kemi një pushtim nga drogat, kemi një pushtim nga njerëzit dhe kjo është e papranueshme”, tha Trump.
Me këtë lëvizje, Trump praktikisht anashkalon Kongresin që po ia bllokonte fondet e murit. Presidenti amerikan pritet ta firmosë shumë shpejt planin, së bashku me faturën e shpenzimeve, por lëvizja e tij mund të sfidohet ligjërisht.
Demokratët e cilësuan shpalljen e “gjendjes së jashtëzakonshme” si “një abuzim flagrant me pushtetin”, e thanë se kriza e trumpetuar me të madhe në kufi, në fakt nuk ekziston, ndërsa iu bënë thirrje edhe republikanëve të bashkohen me ta.
“Presidenti nuk qëndron mbi ligjin”, deklaruan Nancy Pelosi e Chuck Schummer. “Kongresi, – shtuan krerët demokratë, – nuk mund ta lejojë atë që të shkelë mbi Kushtetutën”.