Mustafa Lici, babai i Ibrahim Licit, të arrestuar pak ditë më parë në Turqi, mohon përfshirjen e djalit të tij në vrasjen e Endri Mustafës. Pak pasi doli nga SPAK, Lici tha se ka dorëzuar pamje filmike që provojnë pafajësinë e të birit.
Mustafa Lici akuzoitre drejtues policie, si personat që sipas tij qëndrojnë pas aktakuzës së ngritur ndaj djalit të tij. Duke ripërsëritur pafajësinë e të birit, Mustafa Lici u tregoi gazetarëve një USB, ku tha se kishte të gjitha pamjet e kamerave të sigurisë që tregonin lëvizjet e Ibrahim Licit, në datat kur ai akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës.
Mustafa Lici: Ne në qytetin tonë, në Shkodër, është krijuar një alibi nga punonjës të policisë të cilët, uroj të implikuar nga dollarët dhe jo nga politika, sepse është shumë më e rrezikshme të jenë nga politika, të jenë nga dollarët që kanë marrë nga krimi. Është plotësuar një aktakuzë duke e manipuluar njerëzit që sot janë në SPAK, për djalin. Këtë besojeni nga unë. Këtë akt akuzë e ka ndërtuar Ardit Hasanbegaj, ish-shefi i krimeve në Shkodër, Luan Hamzallari dhe Niko Brahimaj. Me dhunë dhe me mjete. Kanë ndërtuar një aktakuzë ku nuk e kanë ditur që ne disponojmë kamera. Atë aktakuzë e kanë ndërtuar duke imponuar edhe fëmijën e vogël, duke i thënë që ky është vrasësi, është Ibrahim Lici. Këta njerëz nuk e kanë ditur që ne disponojmë kamera. Dhe kamerat ua kemi dorëzuar po këtyre kriminelëve për t’u mbrojtur. Para se të dorëzonim kamerat dhe kemi deklaruar në media që kemi kamera, menjëherë drejtori i policisë Brahimaj, pas 4 ditëve ka marrë detyrën e drejtorit të Kriminalistikës, sepse ka dëgjuar që ne do të dorëzojmë këto kamera. Shërbimi ka qenë për të shkuar drejtor i Kriminalistikës. Ne i disponojmë të gjitha dhe i kemi këtu në shumë kopje. Ky është djali në kamera, në oraret që këta e akuzojnë.
Pra ju pretendoni që Ibrahim Lici nuk është pjesë e krimit ku është vrarë fqinji i tij?
Mustafa Lici: Po. Ju do ta shikoni vetë, se ne do t’i bëjmë shumë shpejt publike, se ka ardhur koha për t’i bërë publike. Do ta shikoni vetë, dhe ju që nuk jeni ekspertë do thoni që ky është Ibrahimi në këtë orar. Kurse ekspertiza e Niko Brahimit ka deklaruar që nuk ka ngjashmëri me Ibrahimin. Është veti i shtati, i pesti, duke hyrë e dalë në ashensor, duke ngrënë, duke porositur, duke ndenjur, në çdo orar që këta e kanë akuzuar. Në Tiranë këtu ka qenë, që në datën 12 deri në 16-të është në Tiranë, Ibrahim Ibrahimi.
Folët për policë… prokuroria ka dorëzuar kërkesën për ekstradim, policia thotë që e kemi arrestuar në Turqi. Keni një përgjigje për këtë?
Mustafa Lici: Nuk jam në Turqi unë, Unë jam në Shqipëri. Kam dërguar një njeri dje për t’u takuar me djalin dhe për të marrë vesh të vërtetën, si është e vërteta.
Dëshiron ai të vijë në Shqipëri?
Mustafa Lici: Patjetër, e ka deklaruar për t’u përballur me akuzat. Ka thënë jam i lirë dhe ia kam lënë drejtësisë në dorë. Ai dëshiron shumë me u përball dhe ju do shikoni se kush është krimi dhe deri ku ka arritur krimi. E kuptoni, Ardit Hasanbegaj është në SPAK. Ai ia ka bërë dosjen djalit.
Ibrahim Lici u arrestua në Turqi pas më shumë se dy vitesh në arrati. Ai akuzohet për vrasjen e Endri Mustafës, ngjarje e ndodhur në Maj të vitit 2021 në Shkodër. Për këtë arsye, Prokuroria e Shkodrës i ka dorëzuar Ministrisë së Drejtësisë dosjen me rezultatet e hetimit të kryera ndaj tij me të cilën kërkon ekstradimin nga Turqia.
Prokuroria e Shkodrës thotë se Lici bashkëpunoi me adoleshentin Ergys Malja, që kishte njohje me Endri Mustafën për të realizuar ekzekutimin e tij dhe fillimisht ka qenë dëshmia e të riut që çoi në zbardhjen e kësaj ngjarje. Gjykata e Shkodrës më herët e dënoi në Maj të 2022 me 10 vite burg Maljan. Ibrahim Lici u shpall nga autoritet shqiptare në Prill të 2022, si një nga 5 personat më të kërkuar në Shqipëri, mes Laert Haxhiut dhe Talo Çelës.