Ish-ministri i Jashtëm në kohën e Sali Berishës, Besnik Mustafaj, ka deklaruar në rubrikën “Opinion” në studion e News 24 se qeveria nuk do të rrëzohet ditën e shtunë, në protestën e paralajmëruar nga opozita e bashkuar.
Mustafaj ka kritikuar Lulim Bashën, teksa ka deklaruar se protesta nuk mund të jetë gjithë elementi mbështetës i opozitës.
“Jo, nuk do të rrëzohet qeveria, nuk shoh paralajmërime. Rrëzimi vjen me disa paralajmërime.
Opozita me këto protesta ka hyrë në ciklin që bën gropën pak nga pak, pra ka hyrë në maratonën e saj, që është ende larg, dhe po provon se mbështetësit e saj janë të gatshëm ta ndjekin këtë mënyrë të bëri politikë.
Mbetem i shqetësuar se protesta nuk mund të jetë gjithë elementi mbështetës i opozitës.
Por as Parlamenti nuk po bën politikë. Parlamenti është në gjendje asfiksie”, ka deklaruar ish-ministri.
Më tej, Mustafaj ka komentuar gjestin e Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç, në Samitin e Brdo-Brijunit zhvilluar sot në Tiranë, ku pasi takoi organizatorët e samitit, presidentin shqiptar, atë slloven dhe atë kroat, u largua pa bërë fotografi me ta, siç bënë liderët e tjerë të Ballkanit Perëndimor.
Për Mustafajn një gjest i tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë, edhe kur vendet nuk kanë pasur marrëdhënie me njëri-tjetrin.
“Vuçiç i dha dorën Metës edhe Presidentes kroate dhe pastaj nuk bëri fotografi me ta. Ai e bëri këtë si karshillëk ndaj presidentes kroate.
Gjesti do përgojohet shumë, do përflitet. Nuk ishte një gjë dinjitoze e presidentit, unë nuk e kam parë kurrë.
Kanë qenë shtete pa marrëdhënie diplomatike me njëri-tjetrin, që nuk flisnin, por fotografinë e kanë bërë”, është shprehur Mustafaj.
Gjithashtu, politikani shqiptar ka kritikuar dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, teksa ka theksuar se ai nuk është koherent dhe ndryshon qëndrim sipas situatës.
“Thaçi ka treguar se nuk ka koherencë. Kthesat e tij janë të zakonshme, ai ndryshon qëndrimin sipas situatës.
Replikat mes dy presidentëve vijne se Thaçi e ka parë se kuotat e tij në Kosovë kanë rënë dhe bashkë me të kanë rëndë dhe pritshmëritë e PD së Kosovës, që është repart i Thaçit dhe që s’ka asnjë shans të marrë mandat të dytë.
Këto lloj replikash vijnë për të rikuperuar. Thaçi po përpiqet të rikuperojë elektoratin e humbur në Kosovë”, ka thënë ish-ministri.