Një ditë pas lajmit që u zbuluan katër personat përgjegjës për aktin terrorist që do të kryej gjatë festimeve ditën e Novruzit në Tiranë, në mars të 2018, muxhahedinët thonë se janë më të sigurt, por që për ta rrezik përbëjnë ambasadat dhe misionet diplomatike te Iranit.
Ali Safavi, anëtar i Komitetit për Punë të Jashtme, të Këshillit Kombëtar të Rezistencën Iraniane, flet për Top Channel.
“Pas shmangies së atij akti terrorist dhe pas largimit të diplomatëve iranianë, njerëzit në kamp janë më të sigurt. Por ne besojmë që për sa kohë do të kemi ambasada dhe misione diplomatike iraniane që funksionojnë, rreziku i akteve terroriste të regjimit iranian është i pashmangshëm”, thotë ai.
Për Muxhahedinët, ka tre fajtorë që së bashku kanë menduar dhe organizuar aktin terrorist që dështoi në vendin tonë.
“Ishin forcat QUDS, ministria e inteligjencës dhe ajo e jashtme iraniane, përgjegjëse për atë operacion terrorist kundra nesh dhe shqiptarëve. Punojnë se bashku për tu angazhuar në akte terroriste jashtë Iranit. Dhe sigurisht për këtë përdornin misionet diplomatike iraniane dhe kryesisht ambasadat, për të lehtësuar dhe koordinuar këto akte terroriste. Kujtojmë se pasi u shmang akti terrorist gjatë festimeve tona, qeveria shqiptare ndërmorri një akt kurajoz deportoi ambasadorin iranian në Shqipëri dhe zëvendësin e tij, si të përfshirë në këtë komplot”, shprehet ai më tej.
Të pyetur nëse ishin në dijeni për personat që ishin përgjegjës për aktin terrorist të shmangur, Ali Safavi u shpreh: “Për dy nga njerëzit që drejtori i policisë shqiptare shfaqi dje në media, ne kishim informacione se kush ishin ata. Dinim lidhjet e tyre me ministrinë e inteligjencës iraniane dhe me forcat QUDS. Ne e dinim që ata punonin për regjimin iranian. Por në terma të një rrjeti, ne e dëgjuam për herë të parë, ashtu si edhe ju. Dhe veçanërisht kur bëhet fjalë për krim të organizuar”.
Ditën e festimeve të Novruzit në mars të 2018, shërbimi informativ dhe anti terrori në policinë e shtetit, shoqëruan dy Iranianë, të cilët me pretendimin se ishin gazetarë, po benin foto përpara selisë së Kryegjyshatës Botërorë në Tiranë.
Seyed Gonabadi 59 vjeç dhe Firouz Zenja 65 vjeç, u shoqëruan si të dyshuar për një akt terrorist, por pasi u morën në pyetje, u liruan ate pasdite për shkak se për ta nuk kishte prova të mjaftueshme që t’i implikonte në këtë akt terrorist që u shmang. Dyshohet se Gonabadi dhe Zenja, u larguan po atë natë drejt Iranit.