Memaliaj, vendi ku ka patur edhe njerëz të përkushtuar për të udhëhequr e drejtuar edhe në fushën e artit dhe të kulturës. Një ndër këta është edhe Dhimitër Peri, ish-shefi i muzikës së Pallatit të Kulturës së qytetit Memaliaj.
Ai u lind në vitin 1942, në Nderan të Zagorisë të rrethit të Gjirokastrës, me prindër Kostandina dhe Aristotel, me origjinë po nga kjo zonë. Arsimin fillor dhe atë shtatëvjeçar e kreu në vendlindje. Ndërsa atë të mesëm e kreu në shkollën “Asim Zeneli”, në Gjirokastër. Mbasi kreu studimet, në moshën 18-vjeçare (1960), fillon punë si mësues në shkollën 8-vjeçare të qytetit të Tepelenës, ku merret me organizimin e aktiviteteve kulturore, për shkollën në atë kohë.
Përgjatë kësaj kohe, po në vitin 1960, hapet trupa e Estradës së Tepelenës, ku midis artistëve amatorë të kësaj trupe si: Kasiani Kaçi, Note Buzo, Eli Jaho, Thoma Milai, Zaba Karraliu, Pëllumb Skëndi, Mitat Gërbi, …etj, ishte edhe Dhimitër Peri, i cili përveç lojës së tij, si instrumentist i mirëfilltë për kohën, këndonte dhe luante shumë mirë edhe pjesë të ndryshme interpretimesh nëpër skena të ndryshe, ku trupa jepte shfaqje.
Në vitin 1962, ngriti orkestrën e parë, i cili ishte edhe drejtuesi i parë i kësaj orkestre të këtij institucioni të rëndësishëm për kohën, e cila ishte ngritur në vitin 1959-të, në një ndërtesë të vjetër dhe të vogël.
Në vjeshtën e vitit 1963 inaugurohet ndërtesa e re e Shtëpisë së Kulturës së këtij qyteti. Përgjatë kësaj kohe, udhëheqësi artistik Dhimitër Peri vazhdon punën e tij artistike, plot përkushtim, duke zbuluar dhe punuar edhe me instrumentistë të rinj, të cilët e bënin më të plotë orkestrën e kësaj qendre kulturore, e cila përfaqësonte dhe mbulonte me aktivitete mbarë rrethin në ato vite.
Në vitin 1965, në sajë të kërkesave të kohës, pasi edhe vendi po zhvillohej me ritme të shpejta dhe brezat duhet të argëtoheshin, Dhimitër Peri emërohet si muzikant dhe shef muzike në Shtëpinë e Kulturës së Tepelenës.
Si udhëheqës artistik punoi për 10-vjet rresht, deri në vitin 1975, ku në sajë të punës së tij dhe kolegëve të tij, sillte në skenë për publikun artdashës mbi 15 shfaqje në vit. Arriti që ta ndërtonte të plotë orkestrën e kësaj qendre kulturore, duke e harmonizuar me 15 instrumente të ndryshme muzikore, të cilat zotëroheshin me mjeshtëri nga instrumentistë të ndryshëm të nivelit profesionist.
Përgjatë kësaj periudhe, në vitin 1969-të, me këta instrumentistë dhe të tjerë, të cilët, të gjithë së bashku bëheshin 24, Dhimitër Peri themeloi Fanfarën e qytetit të Tepelenës, e cila ishte e para dhe e vetmja për të gjithë rrethin në atë kohë dhe jepte katër shfaqje në muaj. Nuk duhet harruar pa përmendur se, trupa që udhëhiqte Dhimitër Peri fitoi vendin e parë në shkallë vendi në takimin e estradave që u zhvillua në qytetin e Beratit në vitin 1974.
Me punën e tij si drejtues artistik fitoi një përvojë të madhe, jo vetëm si muzikant, por edhe si udhëheqës muzike i lëvizjes amatore. Për kontributin e tij dhe arritjet në gjallërimin e jetës kulturore dhe artistike, në vitin 1968, është dekoruar me Urdhërin “Naim Frashëri” të Klasit të II-të.
Në tetor të vitit 1975, emërohet udhëheqës artistik në Pallatin e Kulturës së Memaliajt, ku shërben me devotshmëri deri në vitin 1990. Ky transferim u bë me vendim të Komitetit Ekzekutiv të rrethit të asokohe, ku kishte vendosur zëvendësimin e drejtuesit artistik të Pallatit të Kulturës, Fatmir Meçe, i cili do të shkonte në Tepelenë.
Në atë kohë, drejtor i Pallatit të Kulturës ishte Xhafer Kuçi. Mjeshtri Dhimitër Peri i vuri në shërbim të gjitha energjitë dhe eksperiencën e tij, për t’i dhënë akoma më shumë gjallëri institucionit ku ai u emërua të drejtonte. Mjeshtri Dhimitër Peri e filloi nga e para, ashtu siç veproi edhe me Shtëpinë e Kulturës së Tepelenës, të cilën e la gjithçka të ngritur, artistikisht.
Kontributi i tij është i jashtëzakonshëm edhe në qytetin e Memaliajt. Me punën e tij të palodhshme, jo vetëm që e gjallëroi, por e ngriti edhe artistikisht nivelin e kësaj trupe. Si fillim, ai bëri një punë të madhe në drejtim të evidentimit të instrumentistëve, këngëtarëve dhe humoristëve duke punuar sistematikisht me secilin për të arritur atë të nivelit profesionist.
Ai është udhëheqësi artistik edhe i 8 anketave muzikore dhe i shumë kompozimeve orkestrale, të cilat kanë shoqëruar paroditë, skeçet dhe kupletet.
Ka udhëhequr me dhjetëra shfaqje të trupës së Estradës dhe në sajë të punës së tij, por edhe të regjisorit të talentuar, Agim Lika, trupa e Memaliajt ka zënë dy çmime të para në shkallë vendi, atë të vitit 1980 dhe atë të vitit 1984.
Në sajë të profesionalizmit të tij të lartë, të fituar ndër vite, bënë të mundur të krijonte shumë orkestrime e pjesë muzikore, të cilat i vinte në skenë. Është krijuesi i shumë këngëve, jo vetëm për të rritur, por edhe për fëmijë, pasi është edhe ideatori, realizuesi dhe drejtuesi artistik i të gjitha festivaleve për fëmijë në këtë qytet artdashës. Mbahet mend nga memaliotët edhe për krijimin e “Korit të burrave” në vitin 1979-të.
Mjeshtri Dhimitër Peri së bashku me bashkëshorten e tij, Donika, kanë krijuar familje dhe kanë dy fëmijë. Bashkëshortja e tij, Donika, ka punuar edukatore në kopshtin e fëmijëve të Memaliajt, e cila edhe sot kujtohet me dashuri për përkushtimin e saj në këtë profesion të shenjtë. Është për t’u përmendur edhe i vëllai i tij, Arqile Peri, për përkushtimin e tij në mësimdhënien e gjimnazit të Tepelenës për lëndën e fizikës.
Më poshtë, po sjell disa kujtime, nga ish-nxënës, kolegë dhe bashkëqytetarë nga të dy qytetet:
Shqiponja V. Mema: “Prof. Dhimitër Peri, ishte shumë i talentuar, i apasionuar dhe i përkushtuar, në punën e tij, jo vetëm kur punonte në Shtëpin e Kulturës së Tepelenës, por edhe në atë të qytetit tonë, Memaliaj. Në sajë të punës së tij të palodhur si muzikant, kompozitor, udhëheqës artistik dhe si iniciatori i festivaleve të këngës për fëmijët memaliotë, unë kam marr pjesë në katër festivale të pionierit. Në të katërta festivalet, fituar çmimin e parë. Nëse nuk gaboj, kanë qenë festivalet e viteve 1976, 1977, 1978 dhe 1979-të. Në këto festivale, kanë marr pjesë edhe bashkëmoshataret e mija, Irena Arapi, Kilopatra Ciko, ..etj. Në atë kohë, kemi kënduar me zërin tonë origjinalë, jo si këngëtarët e sotëm që i përgatisin më parë në studio dhe prezantojnë me kompjuter, inçizimin më të mirë.”
Valentina Mema: “Kujtime të bukura që ngelen të pa harruara! Shqiponja Memën, e mbaj mend shumë mirë, me zërin e saj brilantë, e cila merrte çmimet e para, nëpër festivalet e fëmijëve. Për atë dhe të gjithë ne që ishim pjesë e atyre festivaleve, kishte meritë, Prof. Dhmitër Peri, i cili ishte i papërtuar me këngëtarët dhe fëmijët e korit të qytetit tonë! Kishte lezet në atë kohë! Puna e tij me brezat e rinj, kishin shumë vlera, pasi nga këto festivale, ai nxirrte talente të reja, ku më pas bëheshin pjesë e trupës së Pallatit të Kulturës.”
Lindita Mema: “Respekte për këtë profesor, mjeshtër të muzikës dhe i palodhur në punën e tij! Ruaj kujtimet më të mira, pasi edhe unë isha pjesë e këngëtarëve të festivalit, ku kam kënduar disa këngë! Prof. Dhimitri, nuk mërzitej me provat tona, pasi e dinte që me punë, do arrinim pritshmëritë që do të çonin prezantimin me sukses të festivalit, përpara publikut. Ai gjithmonë shpjegonte me pasion edhe pse nuk ishte e lehtë të punoje me moshat tona.”
Fatos Hita: Respekt për mjeshtrin, Dhimiter Peri! Kemi punuar për disa vjet, në orkestrën e Pallatit të Kulturës së qytetit të Memaliajt.”
Sulo Nelo Gërbi: “Respekt dhe konsiderata të veçanta, për muzikantin dhe udhëheqësin artistik, Dhimitër Peri!”
Asqeri Çunaj: “Respekte pafund për mjeshtrin dhe kolegun e nderuar, Dhimitër Peri!”
Eva Peri (Lumani): “Ndihem krenare për kontributin e xhaxhait tim, si një muzikant i talentuar, që i ka dhënë shumë kulturës muzikore, të qytetit tonë!”
Enerjeta Sotiriu (Jovani): “Mirënjohje të thellë, për zagoriotin, Dhimitër Peri, i cili njihet për njeri shumë i mirë, shumë i talentuar dhe i palodhur me aktivitetet që i ka dhuruar qytetit tonë!”
Mehdi Malka: “Një mjeshtër me dashuri të madhe për punën.”
Tefta Ceka (Seferi): “Respekt pafund për, Dhimitër Perin, njeriun më të mirë, të drejtë dhe punëtor, që kam njohur!”
Vladimir S. Shehu: “Mjeshtri që sakrifikoi gjithçka nga shpirti, talenti dhe puna e tij, për artin në qytetin e Memaliajt.”
Viron Laska: “Respekt për zagoriotin dhe njeriun e mirë, Dhimiter Peri, i cili ka punuar me pasion e i palodhur, për të përgatitur grupet artistike në Pallatin e Kulturës së Memaliajt.”
Kujtimet e mia me Prof. Dhimitër Perin janë të shumta (edhe pse unë jam shumë vogël në moshë), pasi ai ka qenë një mik i afërt i tim ati dhe mbaj mend kur ai donte të më mësonte instrumentin e harmonikës në kohën kur kam qenë në klasën e gjashtë. Shkoja tre herë në javë tek studioja e tij, ku bëheshin provat orkestrale dhe të këngëtarëve, përpara se të shkonin në provat gjenerale dhe prej andej vendosej për datën e shfaqjes në publik. Nuk vazhdova më shumë se tre muaj, pasi nuk vazhdova të tregoja shumë interes, ndoshta ishin momentet kur e shikoja profesorin që lodhej shumë duke punuar për të mësuar instrumentistët për pjesët e tyre orkestrale, këngëtarët dhe parodistët.
Me harmonikën në krahë për disa orë duke përsëritur me dhjetëra herë pjesët që përgjatë gjithë kohës i ndihmonte duke i shoqëruar edhe me zërin e tij që ishte i vokalit të shkëlqyer; lodhej, djersitej, pasi përgjatë gjithë kohës, rrinte në këmbë. Kishte raste që edhe fliste me tone të larta, pasi nuk ishte punë e lehtë.
Gjithë trupa ishte me instrumentistë dhe këngëtar që nuk kishin rrogë si trupat profesioniste të qyteteve të kategorisë së parë, por vinin pas pune, të lodhur dhe në të shumtën e rasteve edhe me rroba pune. Prof. Dhimitri e kuptonte dhe u jepte të drejtë, por nga ana tjetër edhe stresohej, pasi çdo shfaqje kishte afat përgatitur dhe duhej zbatuar në kohë grafiku, që ishte pjesë e planit të Pallatit të Kulturës.
Unë shkoja në orare të ndryshme, kur ai mendonte se kishte kohë të lirë dhe ishte i përpiktë. Aty nga semestri e klasës së tetë më merr në provë për të më parë sesa kisha ecur me mësimet në kitarë, edhe pse kisha disa muaj që kisha filluar të mësoja me Prof. Dhimitër Papa. “Në akorde ke ecur mirë, por duhet të punosh edhe në vijë melodike …”, u dëgjua të më thoshte, Prof. Dhimitër Peri.
Ai vinte çdo mëngjes nga Tepelena me urban dhe në të shumtën e rasteve kthehej në shtëpi me urbanin e fundit!
Kujtimet janë të shumta, por solla pak nga këto, për të treguar përkushtimin e tij, për të ngritur dhe gjallëruar jetën artistike dhe kulturore edhe në qytetin e Memaliajt.
Ai është një personalitet i mirënjohur në gjithë rrethin e Tepelenës dhe më gjerë, por për memaliotët, ngelet i veçantë dhe për këtë, i jemi mirënjohës, pasi me meritë, ai është bërë pjesë e historisë së qytetit tonë!
Për gjithë kontributin e tij, mbi 40 vjet në shkallë rrethi, ai e ka fituar çmimin e lartë, por i ngelet këshillave bashkiake të të dy qyteteve për ta vlerësuar dhe pagëzuar me titullin “Qytetar Nderi”!
Edmond Ismailati
Gusht 2021