Bota Po ikte drejt Spanjës, arrestohet Maria Licciardi, shefja e parë femër e...

Po ikte drejt Spanjës, arrestohet Maria Licciardi, shefja e parë femër e Kamorrës

Maria Licciardi, e konsideruar si drejtuesja e klanit Licciardi, është vënë në pranga në aeroportin e Romës, pasi ishte gati të fluturonte për në Spanjëm, zyrtarisht për të takuar të bijën, por sipas policisë italiane për të zgjeruar rrjetin mafioz.

Karabinierët u afruan drejt Licciardi-t teksa ajo ishte gati të dorëzonte bagazhet. Ata i njoftuan urdhrin e ndalimit nga Prokuroria e Napolit dhe më pas i vunë prangat.

Kush është Maria Licciardi. Historia e “Princeshës” së mafias që revolucionoi krimin e organizuar dhe bashkëpunimi me mafian shqiptare

Maria Licciardi (e lindur më 24 mars 1951 në Secondigliano) është një kriminele e famshme italiane e lidhur me Kamorrën dhe ish­kryetare e klanit Licciardi, me bazë në lagjet Secondigliano në veri të Napolit.

Ajo ishte shefja e padiskutueshme e Kamorrës në qytetin e Napolit nga viti 1993 deri në arrestimin e saj në vitin 2001.

Licciardit i referoheshin si “La madrina” (Kumbara) nga kolegët e saj kamorristë dhe fitoi pseudonimin “La Piccolina” (Vajza e vogël), në fillim të karrierës së saj kriminale, për shkak të shtatshkurtësisë.

Ndërsa mes kamorristeve femra ajo është e njohur me respekt si “La Principessa” (Princesha), për shkak të pamjes së saj të bukur.

Licciardi lindi dhe u rrit në periferi napolitane te Secondigliano­s, një bastion tradicional i klanit Licciardi, ku një famulltar lokal një herë thoshte se “njerëzit e Sekondiljanos ke anë kulturën e Kamorrës në kockat e tyre.”

Gjithë familja e saj i përkiste Kamorrës. Babai i saj ishte shefi lokal. Një nga vëllezërit e saj, Gennaro Licciardi i njohur si “a Scigna“ (Majmuni) ishte shef shumë i fuqishëm, i cili më vonë u bë kreu i klanit dhe anëtar themelues i Aleancës Secondigliano, një koalicion i klaneve të fuqishme të Kamorrës që kontrollonin trafikun e drogës në shumë periferi të Napolit. Gennaro vdiq nga helmimi i gjakut më 3 gusht, 1994. Burri i Marias, Antonio Teghemié ishte gjithashtu një kamorrist.

Licciardi erdhi në pushtet dhe mori përsipër kreun e klanit, pasi dy vëllezërit dhe bashkëshorti i saj u arrestuan. Ajo ishte e para femër kamorriste që u bë kapo nga klani Licciardi, dhe gjithashtu u vu në krye të Aleancës Sekondiljano. Ajo mbante nën kontroll dhe në stabilitet të plotë 20 klane kamorriste që shpesh kishin keqkuptime për shkak të punëve të tyre të ndryshme.

Ndryshime revolucionare ndodhën gjatë kohës që ajo ishte në krye. Ndoshta më e rëndësishmja në mesin e tyre ishte përfshirja në tregtinë e prostitucionit.

Para kësaj, Kamorra kishte një kod sjelljeje që ndalonte ata që bënin para nga prostitucioni. Megjithatë, sipas Licciardi­t ky kod ishte thyer.

Kamorra i blinte vajzat nga mafia shqiptare për 2 mijë dollarë. Shumë vajza shkonin atje nga Shqipëria pasi i premtohej punë në mënyrë që të shpëtonin nga varfëria dërrmuese në tokën e tyre.

Këto vajza vriteshin kur ishin shumë të vjetra për të shërbyer si prostituta. Klani i Licciardi­t kishte lidhje të forta me mafian shqiptare, duke e shtrirë bashkëpunimin edhe në fusha të tjera.

Ndryshe nga shumë kamorristë meshkuj, Licciardi shmangu situatat ku mund të binte në qendër të vëmendjes dhe nuk u dënua apo të dyshohej për ndonjë krim. Një kamorrist i brendshëm e përshkruante atë si një person me karizëm të hekurt. Sipas burimeve të policisë, ajo ishte praktike, simpatike, jashtëzakonisht inteligjente, por po aq e pamëshirshme sa homologët e saj meshkuj. Ajo mbante një qëndrim të ftohtë në llogaritjen e përpjekjeve te saj kriminale, dhe thuhet se ka marrë frymëzimin e saj nga Rosetta Cutolo, motra e Raffaele Cutolo, bosi i Organizatës së Re Kamorriste.

Nën udhëheqjen e saj, klani Licciardi vuri reputacion të mirë në popullatën lokale, duke ndihmuar lagjet e varfra. Ajo u ofronte ndihmë njerëzve në nevojë duke ulur ndjeshëm papunësinë.

Maria Licciardi gjithashtu kërkonte të kontrollonte dëshmitë e të gjithë të penduarve për të mbrojtur klanin e saj. Policia italiane mësonte se shumë prej të penduarve ndërronin mendje për të dëshmuar kundër klanit pasi takoheshin me Marian dhe ajo u ofronte shumë para për të mbyllur gojën. Aleanca e Sekondiljanos ishte e ndarë mbi këtë çështje. Disa kërkonin ti paguanin ata, të tjerë kërkonin ti paguanin ata, dhe pastaj ti vrisnin atë dhe familjen e tij.

Mbretërimi i Maria Licciardi­t u zhvillua pa probleme për shumë vite, derisa një mosmarrëveshje ndodhi mbi një ngarkesë heroine. Në pranverën e vitit 1999, një ngarkesë e madhe e heroinës e ardhur nga Stambolli, Turqia nuk u pranua nga Licciardi, pasi ajo ishte shumë e pastër dhe e fortë për përdoruesit mesatarë, dhe kështu do të vriste ata që e blinin atë, duke dëmtuar një bazë të madhe të aleancës të konsumatorëve e të përdoruesve të drogës. Megjithatë, klani Lo Russo, nuk u pajtua dhe e nxori dërgesën për shitje në rrugë.

Shitja e heroinës së parafinuar rezultoi me vdekjen e shumë narkomanëve në Napoli. Kjo shkaktoi zemërim të madh publik dhe rezultoi me goditjen masive policore mbi klanet. Shumë kamorristë u arrestuan.

Licciardi u fut në listën e “30 italianëve më të kërkuar” dhe qëndronte në arrati. Në sajë të një rrjeti të sofistikuar të mbrojtjes së vendosur nga klani i saj, Licciardi ishte në gjendje të shmangte kapjen e saj për dy vjet dhe, pavarësisht se ndryshoi strehim disa herë, nuk largohej kurrë nga qarku Masseria Cardone.

Ndërsa qëndronte në arrati, ajo vazhdoi si bose e padiskutueshme e klanit Licciardi dhe urdhëroi disa vrasje të mafiozëve rivalë. Ajo hyri në luftë me klanin Giuliano e Forcella. Policia bëri shumë përpjekje të pafrytshme për të kapur Licciardi­n.

Më 14 qershor 2001, Licciardi u arrestua nga policia e Napolit, ndërsa udhëtonte me një çift të martuar në bordin e një makine rreth zonës Melito, afër Napolit.

Ajo nuk bëri rezistencë ndaj arrestimit.

Edhe pse në burg, ajo ende ishte në komandën e klanit. Burgjet nuk paraqesin pengesë për Kamorrën, sipas Anna Maria Zaccaria, një sociologe në Universitetin e Napolit. Ajo bëri 8 vite burg dhe u lirua në vitin 2019. 70-vjeçarja ishte nisur drejt Spanjës për të zgjeruar aktivitetin mafioz në ishujt spanjollë.