Pasditen e së martës qyteti i Shkodrës kishte disa vizitorë të veçantë. Grupi i muzikës folklorike, udhëtoi nga Koreja e Jugut, për të vizituar Shkodrën, por edhe për të prezantuar tek shkodranët vallet dhe muzikën e tyre të veçantë që fillimet i ka që në vitin 1145.
Kjo lloj muzike shpirtërore i dedikohet zotave, prandaj grupi, këtë herë ka vendosur të këndojë për shqiptarët dhe të bekojë ata dhe Shqipërinë.
“Kjo është muzikë tradicionale koreane, jemi të fokusuar në veglat e perkusionit, si Janggo, Sogo, Xing. Ne me këtë muzikë bekojmë Shqipërinë dhe Shqiptarët. Ky është misioni që ne kemi. Duam të shpërndajmë kulturën tonë tradicionale në vende të ndryshme në botë.
Kemi disa vite që e bëjmë këtë, dhe këtë vit kemi vendosur të jemi në Shqipëri. Kjo është një lloj muzike korale por vetëm me vegla. Siç e shihni përveç veglave muzikore kemi edhe veshjet tradicionale. Ku janë ngjyrat blu që është qielli, e verdha është toka, dhe e kuqja është njeriu” , tha Aton Jun Kong, drejtuese e grupit.
Përformanca e muzikantëve në rrugët e qytetit tërhoqi vëmendjen e qytetarëve por edhe turistëve të shumtë.