Partia Demokratike ka vendosur të përjashtojë nga radhët e saj deputetin Myslim Murrizi, pasi ky i fundit nuk pranoi që ta dorëzonte mandatin e deputetit.
PD e ka përjashtuar atë nga të gjitha funksionet në parti.
Menjëherë pas këtij vendimi ka ardhur reagimi i Murrizit.
“U nisën për të rrëzuar Ramën, por më rrëzuan mua”, ka thënë ai me ironi.
“Nuk është hera e parë që merret një vendim i tillë ndaj meje.
Kjo është frymë e partisë të lidhur me Sigurimin, që sillen në këtë formë kur nuk u vjen pas avazit.
Pse nuk u mor një vendim i tillë për Mesila Dodën dhe Shpëtim Idrizin që morën votat e demokratëve në vitin 2013.
Unë nuk pres tjetër vendim nga katër ish bij sekretarësh komunistë”, tha Murrizi.
I pyetur nëse do të jetë në parlament në vazhdim dhe në çfarë sigle, Murrizi tha se: “Unë do jem aty si përfaqësues i elektoratit tim dhe i studentëve të dhjetorit që u ngritën dhe thanë e duam Shqipërinë si Europa dhe Amerika”.