E ftuar në programin “Rudina në Tv Klan, ka qenë këngëtarja e njohur dhe mjaft e dashur për publikun, Ermira Babaliu. Ajo prej 23 vitesh jeton në Amerikë së bashku me familjen e saj, por muzika dhe serenatat janë ato që e shoqërojnë çdo ditë. Por jeta në Amerikë nuk ka qenë aspak e thjeshtë. Problemet filluan për të dhe familjen sapo zbritën në aeroport.
Ermira Babaliu: Dy-tre vitet e para shumë e vështirë, ne që ditën që shkuam filluam të përballeshim me çudinë më të madhe, të atyre që do na prisnin, na çuan në hotel. Pra ne, e kemi filluar Amerikën që nga hoteli, nuk e morëm vesh kurrë, që pse ata që do na prisnin na lanë në aeroport.
Rudina Magjistari: Ishin shqiptarë, ata që do ju prisnin?
Ermira Babaliu: Ishin shqiptarë!
Rudina Magjistari: Dhe nuk dolën në aeroport në momentin kur ju ndaluat, zbritët aty?
Ermira Babaliu: Nuk dolën në aeroport. Pastaj dërguan dikë që na çoi në hotel dhe që aty e kemi filluar jetën. Dhe unë që atëherë i kam premtuar vetes, që kushdo që do të vijë dhe do të ketë mundësi dhe kontakt me mua do ta ndihmoj në mënyrë fare vullnetare. E kam bërë këtë, dhe e bëj me aq pasion këtë gjë. Një pjesë çuditen pse unë e bëj këtë gjë dhe kjo është arsyeja që të gjithë ta dinë, arsyeja është që kush vjen aty dhe kërkon një lloj ndihme, kërkon sidomos që ta drejtosh ku të shkojë, kërkon informacion sepse informacioni është fuqi, pra është aq e vogël, ajo lloj ndihme dhe pastaj secili sipas aftësive do ta gjejë veten. Por në fillim është shumë e domosdoshme, edhe nga një vend i Shqipërisë në një vend tjetër të shkosh, do ta dish se ku ta pish kafen, sot është edhe interneti sigurisht, por në atë kohë nuk e harroj. Dhe nuk ma ndërron askush mendjen, që kushdo që të vijë dhe do të ketë nevojë, do ta ndihmoj pa asnjë lloj kushti.
Rudina Magjistari: Pra domethënë, keni mbërritur në SHBA, keni zbritur në aeroport në Detroit dhe aty keni qenë vetëm ju të tre, ti, bashkëshorti dhe vajza. S’ju ka pritur askush, keni vajtur në hotel dhe prej atje ka filluar e gjitha.
Ermira Babaliu: Dhe prej atje, pastaj vramë mendjen se kë do të njihnim. Na mori dikush pas disa ditësh, ne atje kemi harxhuar, le të themi 500 Dollarë.
Rudina Magjistari: Kursimet që kishit marrë me vete?
Ermira Babaliu: Kursimin që kishim marrë shumë pak. Sa më kanë dhembur ato lekë, nuk di si të them. Por më shumë isha e trishtuar, pse u premtuam dhe nuk na ndihmuan. Dhe pastaj dikush na mori, na gjeti një apartament dhe prej aty filluam. Kemi luftuar dhe ja kemi dalë dhe kemi një jetë modestisht të siguruar.
“Pengun i jetës”
Këngëtarja mjaft e dashur për publikun, Ermira Babaliu, që në daljen e saj të parë në skenë ka rrëmbyer zemrat e publikut. Ajo spikati në vitet ’80-90, jo vetëm për zërin melodioz, këngët e bukura, por edhe për videoklipet e veçanta, pasi ishte ndër të parat këngëtare që realizonte videoklipe.
Ermira edhe sot vazhdon të mbetet një nga këngëtarët më të mira të muzikës së lehtë dhe serenatave.
Prej 23 vitesh jeton në Amerikë, së bashku me familjen e saj. Ajo ka një vajzë me emrin Dorela, që është e martuar dhe ka dy fëmijë, një djalë me emrin Landon dhe një vajzë me emrin, Luna.
E pyetur nga moderatorja nëse ka nostalgji për ato këngë dhe atë periudhë Babaliu shprehet: “Mund të them që më merr malli, por nuk kam shumë nostalgji, për arsye që unë nuk kam reshtur asnjë ditë së kënduari. Siç duket, koha që vrapon ose kur ti vrapon ndërkohë me kohën, nuk të le kohë që të mendosh për të shkuarën, mbase do më duhen edhe nja 10, 15, 20, 30 vite, që të më marrë malli. Për atë kohë, mua më merr malli, për marrëdhënien e bukur që kishim ndërmjet nesh, më merr malli për marrëdhënien e bukur që kishim në grupin e krijimit të këngëve. Unë nuk mendoj se këngët e mia kanë dalë vetëm prej meje, ishte si të thuash një grup kritikësh. Nuk dilte kënga, po mos aprovohej nga ai grup”.
Babaliu është nderuar me çmimin “Tefta Tashko Koço” si dhe titullin “Qytetare nderi” në Pogradec. Gjithashtu, ajo është shpallur dhe Ambasadore e Paqes. Ajo ka publikuar 6 albume diskografike dhe ka realizuar shumë këngë të tjera.
Rudina Magjistari: Çfarë do ishe bërë nëse s’do ishe bërë këngëtare?
Ermira Babaliu: Së pari, do isha bërë mësuese shumë e mirë, për atë më zë malli.
Rudina Magjistari: Mësuese e cilës lëndë?
Ermira Babaliu: Tani, etikë. E kam kot, në ato kujtimet e mia të së ardhmes, vërtet etikë, vërtet këndvështrim. Do të kisha shumë dëshirë, që po të kem në ato vitet e ardhshme, të planeve të mia, po të kem jetë, të isha mësuese në klasë të parë, mundësisht në kopsht.
Rudina Magjistari: Ke durim me të vegjlit?
Ermira Babaliu: Kam shumë durim, madje i kam çuditur të tërë, me dy fëmijët tanë. Më vjen pak inat për këtë, por s’kam ç’them, s’ia merrte mendja askujt që unë do kisha durim për këtë.