Aktualitet “Na ka humbur babai”, gjendet i vdekur në lumë 75-vjeçari në Gramsh

“Na ka humbur babai”, gjendet i vdekur në lumë 75-vjeçari në Gramsh

Një ngjarje e rëndë është regjistruar në fshatin Pishaj të Gramshit, ku një 75-vjeçar është gjetur i mbytur në ujërat e lumit Devoll. Sipas grupit hetimor, dyshohet që i moshuari të jetë mbytur, pasi në trupin e tij nuk janë konstatuar shenja dhune.

Sipas njoftimit të policisë, alarmin për humbjen e të atit e kishte dhënë në komisariat i biri 43-vjeçar i viktimës, sipas të cilit 75-vjeçari nuk kishte shkuar prej disa orësh në shtëpi.

“Gramsh/ Informacion paraprak: Më datë 19.07.2023, në fshatin Pishaj, në shtratin e lumit Devoll, është gjetur i pa jetë, shtetasi Q. Z., 75 vjeç, banues në Gramsh, i cili dyshohet se është mbytur në lumë. Nga këqyrja paraprake e trupit të 75-vjeçarit, nuk janë konstatuar shenja dhune. Për këtë shtetas, më datë 17.07.2023, ka bërë kallëzim në Polici, djali i tij shtetasi L. Z., 43 vjeç, ku ka deklaruar se është larguar nga banesa babi i tij dhe nuk është kthyer më. Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes”, njoftoi Policia e Elbasanit.