Një komandant i forcës detare në bastionin e fundit ukrainas në qytetin e rrethuar të Mariupolit publikoi orët e para të kësaj të mërkure një video-mesazh ku tha se trupave të tij mund t’i kenë mbetur vetëm disa orë.
Në një video të dërguar BBC-së dhe mediave të tjera, majori Serhiy Volyna tha se trupat e tij nuk do të dorëzoheshin, por ai u lut për ndihmë ndërkombëtare për 500 ushtarët e plagosur dhe qindra gra dhe fëmijë që ai tha se po fshiheshin me ta në një fabrikë çeliku në qytet.
“Ky është apeli jonë i fundit drejtuar botës. Mund të jetë hera e fundit… Ka mundësi që na kanë mbetur vetëm disa ditë, apo orë,” tha majori Volyna.
“U bëjmë thirrje liderëve botërorë të na ndihmojnë. Të na mundësojnë një rrugë evakuimi për të na çuar në një shtet të tretë”.
Fabrika masive e hekurit dhe çelikut Azovstal është bërë pika e fundit e rezistencës ukrainase në Mariupol.
“Njësitë e armikut i tejkalojnë tonat me dhjetëra herë. Ata mbizotërojnë në ajër, në artileri, në trupa tokësore dhe në makineri e tanke”, tha majori Volina, komandant i Brigadës së 36-të të Marinës.
Ai nuk pranoi të thoshte se sa trupa ukrainase kishin mbetur në uzinë, por tha se ata kishin “frymë të mirë luftarake”. Megjithatë, situata për të plagosurit ishte “shumë e keqe”. “Ata janë në një bodrum, aty po kalben”, tha ai.
Mariupol ka qenë një objektiv strategjik për Rusinë që kur forcat e saj pushtuan Ukrainën në shkurt. Presidenti ukrainas, Voloymyr Zelensky, i tha BBC javën e kaluar se ai besonte se deri në 20,000 persona mund të jenë vrarë në Mariupol nga bombardimet ruse, ndërsa një numër i panjohur njerëzish dyshohet se janë rrëmbyer dhe janë dërguar në territorin rus.