Tirana dhe lagjet e saj të famshme. Pavarësisht dashurisë që kemi, kryeqyteti ynë s’ka vetëm Bllokun. Kujtimet më të bukura nga fëmijëria ne i kemi nëpër rrugicat ku jemi rritur, në lagjet më të famshme të Tiranës që njihen secila për “bëmat” e veta. Fillojmë?!
Rruga e Durrësit – Për shëtitjet dhe tironsit e vjetër
Rruga e Durrësit është shumë e njohur si shëtitore, sepse të ofron çdo gjë që të duhet që nga dyqanet e veshjeve, tek kafenetë e hapura, akulloret dhe ëmbëlsirat, serviset e telefonëve por edhe agjencitë turistike dhe ato të postave të shpejta.
Më parë, tek Rruga e Durrësit jetonin familjet më të privilegjuara, kurse sot edhe pse popullsia është përzier, ka shumë tironsë të vjetër që jetojnë akoma atje. Ndërsa rruga kryesore është plot me ndërtime moderne, nëse futesh pak më thellë mund të gjesh shtëpitë e bardha me qerpiçë.
Blloku – i famshëm sepse ka qenë i ndaluar
Kjo lagje që dikur ishte e ndaluar për njerëzit e thjeshtë sepse këtu jetonin anëtarët e byrosë, sot është lagjja më e famshme për argëtimet, për jetën e natës.
Prej vitesh të rinjtë e kryeqytetit e kanë kthyer në traditë të enden në rrugët e club-et e tij fundjavave deri në mëngjes!
Pazari i Ri- Historinë dhe shndërrimin në atraksion turistik
Pazari i Ri është kthyer në një prej pikave që duhet parë patjetër nëse të bie rruga në Tiranë. Historikisht e famshme, kjo lagje është kthyer në krenarinë e tironsave pas shndërrimit në vitet e fundit. Dikur njihej për tregun e pasur të ushqimeve bio, ndërsa sot, për kafenetë e këndshme, pallatet me ngjyra dhe aktivitetet që bëhen herë pas here.
Kinostudio – E famshme për Kinostudion dhe televizionet
Pothuajse çdo media e madhe shqiptare është vendosur në zonën e Kinostudios. Është një zonë e banuar, sigurisht, por kjo periferi e Tiranës shërben si qendra e medias audio-vizive shqiptare, ku gjenden studiot dhe zyrat e televizioneve si : “TV Klan”; “Ora Neës” etj.
Gjithashtu, aty janë të vendosura Kinostudioja, shtëpia shtetërore e filmit shqiptar dhe shkolla e filmit dhe multimedias “Marubi”.
Don Bosko – I famshëm për përmbytjet në dimër dhe për xhepistët
Legjenda thotë se tek Don Bosko të marrin telefonin nga dora dhe nëse bën rezistencë, ta marrin me gjithë krah. Duke qenë një prej lagjeve më të njohura dhe më të populluara, Don Bosko është qendra e disa mediave shqiptare e megjithatë, në 2014-ën u bë më shumë e njohur si “zona e përmbytjeve” pasi u përmbyt disa herë nga shirat.
Megjithatë, mbetet një vend i pëlqyer për shumë njerëz, pasi ka kafene shumë të këndshme dhe kënde lojërash ku mund të shkosh edhe me fëmijët.
Komuna e Parisit – E famshme sepse duhet të kesh patjetër dikë që jeton atje
Komuna e Parisit është një lagje që nuk mund ta përshkruash me fjalë. Kur të pyesin: “Po pse është kaq e famshme kjo lagje?”, ti nuk ke një përgjigje. Por një gjë e di me siguri: ke një ose më shumë të njohur që jetojnë atje. Shpesh shkon atje për të pirë kafe. Është një rrëmujë e paparë, plot me njerëz dhe trafik në një rrugë kryesore që është shumë e ngushtë për dy makina, sepse është plot me makina të parkuara rrëzë trotuarit.
Gjithsesi, lezeti i kësaj zone janë studentët, të shtuar në masë vitet e fundit!
Kombinati – I famshëm për kampionatin e dominosë dhe bandat e reperëve me çmime Grammy
Mr. Elvis, çunat e Kombinat Rap City, janë të gjithë çuna Kombinati. Nuk dihet nëse Kombinati është bërë i famshëm prej tyre apo ata janë bërë të famshëm nga Kombinati, e sigurtë është se i gjithë Kombinati i njeh.
Megjithatë, ata të gjithë janë spektatorë kur vjen dita e kampionatit të dominosë mes pleqve të Kombinatit. Dita e kampionatit të dominosë në Kombinat është çdo ditë.
“Rrugica e Salës”
Një nga zonat që ia ka kaluar Bllokut vitet e fundit për nga popullariteti. Rrugica e famshme ku ndodhet shtëpia e ish-kryeministrit Sali Berisha është perfekte për t’u qetësuar në çdo orë të ditës. Studentët e Fakultetit të Ekonomisë apo atij Filologjik e shijojnë më shumë se të gjithë ne të tjerët. Pastaj vijnë mbrëmjet…Ku të ulemi? Ah ç’dilema!
Medreseja
Si një prej lagjeve më të vjetra të Tiranë, Medreseja është e famshme për shumë gjëra. Fillojmë nga kinezët, vazhdojmë me tregun e madh të veshjeve dhe mbi të gjitha me atë të rrobave të përdorura. Hë, ç’ju kujton “Ujësjellsi”?
Selvia
Selvia është shoqja e ngushtë e Medresesë dhe po aq e famshme sa ajo. Një nga lagjet më të vjetra tironse Selvia është shquar për shtëpitë tipike dhe rrugicat e ngushta, ku të gjithë komshinjtë dikur e pinin kafen me njëri-tjetrin. Përveç të tjerave është pikë e paparë orientimi.
Myslym Shyri- Rrugët e bukura, dyqanet ‘e shtrenjta’
Myslym Shyri, qershia mbi tortë e lagjeve të Tiranës. Gjithmonë e famshme dhe e lakmuar, kjo zonë ka rrugët më të bukura në kryeqytet. E njohur për dyqanet e veshjeve, akulloret, pemët e larta dhe pllakat që në ditë me shi, na bëjnë qull, kjo lagje është gjithë energji dhe dinamikë. Aty, mund të ndodhë gjithçka./Revista Anabel