Koncesioni për kalibrimin e pompave të furnizimit të automjeteve me karburant do të merret në konsideratë prej qeverisë.
Zëvendësministrja e financave Albana Shkurta në komisionin parlamentar të veprimtarisë prodhuese, shprehet se me këtë veprim nuk do të ketë kosto shtesë për konsumatorët.
Për të ilustruar ndalimin e lejeve të konsideruara të padrejta ajo solli në vëmendje dhe anulimin e koncesionit të llixhave në Peshkopi.
Albana Shkurta: Koncesioni për llixhat nuk është dhënë, ky është informacioni që kemi. Sa i përket informacionit tjetër në lidhje me pompat, nuk është parashikuar tarifë shtesë.
Në komision deputetët kanë diskutuar mbi draftin për ndalimin e koncesioneve me ofertë të pakërkuar, të cilin opozita e cilësoi si një show.
“Këtu po flasim për PPP, të gjitha të garantuara me paratë e shqiptarëve dhe që do paguhen me paratë e shqiptarëve. 2.2 deri 2.5 herë më shtrenjtë është kosto totale, përfshirë interesat e kredive që do merren nga privati, por do paguhen nga buxheti i shtetit.”
Por për zv.ministren Albana Shkurta këto ndryshime janë të domosdoshme dhe janë bërë edhe me rekomandim të FMN dhe BB.
Albana Shkurta: Janë heqja e propozimeve të pakërkuara në një sërë sektorësh. Kjo referuar rekomandimeve të institucioneve të ndryshme ndërkombëtare.
Projektligji parashikon ndër të tjera edhe heqjen e pikëve bonus që i jepet kompanive si dhe ngritjen e një komiteti që do të merret me vlerësimin e projekteve.