Nga Lutfi Dervishi
Protestat për rritjen e çmimit të naftës kulmuan sot në Tiranë, por pa dhënë zgjidhje të besueshme. Edhe bordi i Transparencës që u mblodh për të ulur çmimin e naftës, vendosi që çmimi të rritet. Sot në treg gjeje naftë me 195 apo 216 lekë, bordi vendosi që çmimi të jetë 217 lekë.
Për ata që kanë sy dhe vesh mesazhi është i qartë: mos e kërkoni zgjidhjen te qeveria!
Nuk është faji i qeverisë që shqiptarët nuk vrasin pak mendjen në këto kohë lufte. Qeveria ka plot halle. Zgjidhje ka, por bota ka ndryshuar. Bota është në luftë dhe ne sillemi sikur jemi në prag të korrjeve stinore të hashashit. Është fakt që nafta në Shqipëri është ndër më të shtrenjtat në planet. Faktet pranohen dhe nuk komentohen. Fakt është se ne mbledhim shumë taksa te nafta dhe fakt, që nuk e luan as topi, është se qeveria më shumë lodhet duke menduar si t’i mirëadministrojë taksat sesa si t’i shpenzojë ato. Por po ashtu është fakt që në të gjithë vendet fqinj, nafta është jo vetëm më e lirë, por edhe me cilësi shumë të mirë. Ky është fakt. Problemi është se ne si shqiptarë e presim çdo zgjidhje nga qeveria, ndërkohë që sistemi ku jemi futur kërkon marrjen e përgjegjësive.
Për shembull çfarë problemi kanë kuksianët, hasianët dhe tropojanët që të blejnë naftën në Kosovë?! Asnjë problem?! Është thjesht dembelizëm dhe mania hajde të shajmë qeverinë dhe Edi Ramën.
Çfarë i pengon shkodranët, lezhjanët, të shkojnë të furnizohen me naftë në Mal të Zi? Po banorët e Koplikut dhe Malësisë së Madhe çfarë i pengon?! Asgjë, është thjesht kokëfortësi dhe mentaliteti vjetër që hallet do të na i zgjidhë qeveria se nuk e kemi zgjedhë kot.
Çfarë i pengon dibranët, pogradecarët, e pse jo edhe elbasanllinjtë që të furnizohen me naftë në Maqedoni?!! (Elbasan – Ohër, distanca më e largët 90 km është). Asgjë nuk pengon veç kokëfortësisë dhe sebepit që hajde të protestojmë kundër monopoleve dhe oligopoleve?! Po korçarët, sarandiotët, gjirokastritët, devollinjtë e leskoviqarët çfarë kanë që hiqen si gjynahqarë, pse nuk shkojnë në Greqi për t’u furnizuar me naftë?!!
Zgjidhje ka, por duhet luftuar përtacia. Edhe tiranasit e durrsakët mos të shkojnë deri në Pogradec apo Korcë për koranin dhe kërnackat, një rrugë e dy punë, të hidhen edhe në Maqedoni dhe Greqi dhe kështu problemi zgjidhet.
Ka zëra që për t’u dukur trendi thonë se nuk është puna vetëm te çmimi naftës, por edhe te çmimi i artikujve të konsumit përditshëm! Sigurisht që ka zgjidhje. Për shembull një thes miell në Shqipëri sot kushton sa gjysma e thesit të miellit që kushton në Mal të Zi dhe ky miell i pasuruar me proteina dhe vitamina. Pra një rrugë e dy – tre punë. Ja ku është Mali i Zi. Ja ku është Kosova. Ja ku është Maqedonia. Ja ku është Greqia. Nuk kanë lëvizur dhe aty do të jenë sot e mot. Kështu edhe shqiptarët udhëtojnë, edhe kalojnë kohën në mënyrë të kulturuar edhe kursejnë dhe çfarë është më e rëndësishmja edhe e lënë qeverinë të merret me probleme të mëdha që i kanë rënë në kokë si Ukraina, terrorizmi, ngrohja globale, problemet e BE-së, zgjedhjet në Francë etj etj.
Më thoni ju lutem a është normale që kryeministri të vrapojë sa nga Dubai në Antalia dhe të vijë me ngut në Tiranë të sqarojë njerëzit që jemi në sistemin kapitalist prej 30 e kusur vjetësh ku çmimet i cakton tregu, dhe njeriu merr përgjegjësi?! Akoma nuk e kanë kuptuar shqiptarët që janë të lirë të shkojnë ku të duan dhe nuk ka pse të rrinë këtu dhe të protestojnë. Pale po mu në mes të luftës ngjallin disfatizëm duke thënë: ky vend nuk bëhet!
Ndokush mund të thotë se përse e votojmë qeverinë dhe cila është detyra e qeverisë? Pyetje me vend. Ashtu sikundër nuk ka njeri perfekt edhe në historinë e njerëzimit nuk ka patur ndonjëherë qeveri perfekte. Është hera e parë që ne shqiptarët kemi fatin e madh të kemi një qeveri shumë afër ideales, por nuk po e lemë rehat. Ashtu si çdo e mirë që duket kur mungon kështu është do të na ndodhë edhe me qeverinë. Do ta kërkojmë kur të mos e kemi.
Megjithatë ndonjë sugjerim konstruktiv në protestën e radhës edhe mund të bëhet.
Qeveria mund të na ofrojë një shërbim special (me pagesë sigurisht): të nxitojë të hedhë satelitët në hapësirë që të na informojë në kohë reale se në cilin vend nafta është më e mirë dhe më e lirë!