20 ditë pushime, pjesa më e madhe e të cilave e kaluar në grumbullim në qendrën stërvitore të klubit, kanë dhënë rezultatet e duhura te Napoli, që mposhti Atalantën me rezultatin 4-1, në një sfidë ku zgjidhi gjithçka brenda një 45-minutëshi perfekt.
Napolitanët nuk lejuan asnjë futbollist të shkojë në grumbullim me përfaqësueset përkatëse dhe këtë e shfrytëzoi maksimalisht Genaro Gattuso, që kishte studiuar me detaje strategjinë për të mposhtur Atalantën e Gasperinit, me këtë të fundit që vetëm dje pati ekipin e plotë në dispozicion.
Sfida u zhbllokua në minutën e 23-të nga Hirving Lozano, që devijoi në rrjetë në pasim të ardhur nga krahu nga Di Lorenzo, ndërsa vetëm 4 minuta më vonë ishte sërish meksikani që dyfishoi shifrat me një gol të bukur nga distanca.
Në minutën e 30 ishte ish sulmuesi i Interit, Matteo Politano, që lëvizi bukur drejt qendrës dhe lëshoi një goditje mjaft të bukur nga distanca, duke shënuar golin e tretë, ndërsa më pas ishte edhe Victor Osimhen që çoi shifrat 4-0 në minutën e 43-të.
E ndërkohë që Napoli i Gattusos shkëlqente në fushë, trajneri Gasperini ishte i pafuqishëm të ndryshonte diçka te futbollistët e tij, një pjesë e të cilëve dukshëm të lodhur nga angazhimi në përfaqësueset përkatëse.
Atalanta provoi të ndryshojë diçka në pjesën e dytë, por Napoli menaxhoi mirë avantazhin e thellë dhe uli ritmin e lojës, ndërsa goli i holandezit Lammers shërbeu vetëm për sodisfaksion personal të futbollistit të ardhur këtë verë te zikaltrit.
Vërshëllima finale la në fuqi rezultatin 4-1 në favor të Napolit, që në tre ndeshjet e zhvilluara në fushë ka shënuar plot 12 gola dhe ka pësuar vetëm një, ndërsa Atalanta pëson humbjen e parë dhe dorëzon kreun e renditjes.