Napoli do të presë nesër kampionët e Italisë. Një ndeshje shumë e vështirë, që synohet të luhet me optimizmin e krijuar pas suksesit kundër Lazio, në Kupën e Italisë. Trajneri Genaro Gattuso foli gjatë për shumë gjëra, ndër të cilat nënvizoi se Sarri dhe Higuain nuk janë tradhtarë, meqë kanë qenë më herët pjesë e Napolit dhe pranuan të bashkohen me “armiqtë” bardhezinj:
“Napoli-Juventus për ne do të thotë shumë. Ne duhet t’i japim vazhdimësi performancës së tri ditëve më parë. Do të luajmë kundër një skuadre, që të bën me dhimbje koke. Përballimi i kësaj ndeshjeje nuk do të jetë i lehtë. Skuadra bardhezi është e përbërë nga kampionë të shkëlqyeshëm, ku mund të shihni dorën e trajnerit. Është një duel që thotë shumë, sepse do të ketë një entuziasëm të madh, shumë tifozë në stadium. Edhe për këto arsye, ne kemi për detyrë të përpiqemi të luajmë shkëlqyeshëm.
Formacioni?
“Nuk iu them se kush do të luajë nesër. Po, mund t’ju konfirmoj se Maksimovic do të jetë i disponueshëm në stol. Koulibaly shpresojmë ta kemi për javën tjetër, ndërsa Mertens është pak më mirë. Allan bëri rezonancën të premten në mëngjes, kishte ende një edemë të vogël, por vendosa ta dërgoj në shtëpi, sepse i lindi djalë. Kjo është e drejtë, duke pasur parasysh rëndësinë e ngjarjes”.
Sarri?
“Është një nga trajnerët më të mirë në botë. Ai ishte këtu pak vite më parë. Unë e respektoj shumë, ndërtoi një Napoli të përsosur. Sarri është shumë, shumë i mirë, nga ana ime ka një nderim të madh. Me të vërtetë më pëlqen mënyra e tij e të luajturit futboll. Si po e karikoj ekipin? Nuk përgatis ndonjë fjalim për këtë. Ne duhet të flasim në fushë dhe jo në dhomën e zhveshjes. Unë them atë që ndiej. Nesër do të them atë që zemra dhe koka do të më thonë”.
Merkatoja?
“Napoli nuk është klubi që ka blerë më shumë në Europë, në janar; ky është fakt. Më shumë lojtarë do të arrijnë në qershor. Presidenti dhe të gjithë menaxherët po garantojnë planifikimin dhe bërjen e gjërave të rëndësishme. Meritat e mia? Më pëlqen të vuaj, është pjesë e disponimit tim. Unë gjithmonë kam bërë zgjedhje të forta dhe nuk kam asnjë problem të marr përgjegjësi. Jam me fat që gjeta lojtarë, që ishin plotësisht të disponueshëm të punojnë fort”.
Insigne?
“Duhet të përqëndrohet. Ai është një nga lojtarët më të talentuar italianë të 15 viteve të fundit. Ka shumë cilësi në këmbë, por edhe një “motor” të rëndësishëm, sepse bën 12 apo 13 kilometra në ndeshje. Duhet të vazhdojë kështu dhe të përsërisë atë që bëri kundër Lazio”.
Sarri dhe Higuain?
“Nuk është e saktë që një profesionist të flasë për tradhti. Ata shkruan faqe të bukura me Napolin… Nuk e di se çfarë mund të mendojnë njerëzit për ta, ne nuk jemi të gjithë njësoj. A do të pranoja unë ta drejtoja ndonjëherë Interin? Kam shkruar faqe të rëndësishme me Milanin si lojtar, edhe e kam stërvitur; por kurrë mos thuaj kurrë. Përdorimi i fjalës tradhëti nuk është i saktë”.