Shkencëtarëte NASA-s do të lëshojnë fotografi të njerëzve të zhveshur në hapësirë me shpresën për të joshur alienët.
Fotografitë nuk janë ato tipiket që na vijnë në përmend kur lexojmë togfjalëshin “njeri i zhveshur”, por një vizatim i një burri dhe një gruaje lakuriq.
Shkencëtarët e NASA-s zbuluan imazhin në një studim që është pjesë e një projekti të quajtur “Beacon in the Galaxy” (BITG), raporton New York Post. Qëllimi kryesor i projektit BITG është të dërgojë një mesazh për çdo qytetërim alien në hapësirë.
Shkencëtarët mendojnë se ilustrimi me piksela i një burri dhe një gruaje lakuriq duke përshëndetur me dorë mund të na ndihmojë të krijojmë kontakt me jashtëtokësorët. Së bashku me figurat, ndodhet edhe një përshkrim i ADN-së. Shkencëtarët janë përpjekur gjithashtu të përshkruajnë gravitetin.
Koncepti i dërgimit të imazheve të njerëzve të zhveshur në hapësirë nuk është i ri. Pllakat Pioneer të dërguara në hapësirë në misionet Pioneer 10 dhe Pioneer 11 në vitet 1972-1973, paraqisnin gjithashtu vizatime të njerëzve të zhveshur.
Tani për tani, mund të themi se figurat e njerëzve të zhveshur nuk kanë rezultuar fort joshëse për alienët.