Horoskopi NASA ka ndryshuar vërtet shenjat e zodiakut? Reagon Agjencia Hapësinore Amerikane

NASA ka ndryshuar vërtet shenjat e zodiakut? Reagon Agjencia Hapësinore Amerikane

Nuk është diçka e pazakontë që kur vjen puna tek zodiaku njerëzit t’i kapë paniku. Por një herë në pak vjet, e “gjora” NASA duhet t’i shpjegojë internetit se jo, nuk e kanë ndërruar papritur shenjën e zodiakut nga Shigjetar në Akrep dhe edhe nëse kjo do të ndodhte, nuk ka përse ta ndryshojë një person…

Astronomët as e kanë këtë lloj fuqie. Sepse astronomia dhe astrologjia janë dy gjëra shumë të ndryshme dhe vetëm një konsiderohet fushë e shkencëtarëve.

“Shohim komentet tuaja për një histori të zodiakut që rishfaqet herë pas here ndër vite. Jo, nuk e kemi ndryshuar zodiakun”, shkruajti Agjencia Hapësinore Amerikane së fundmi, në një postim në Twitter.

Origjina e këtij ndryshimi të pretenduar të zodiakut daton që prej 2016-s. Në atë kohë, e vetmja gjë që bënë astronomët ishte matematikë e thjeshtë… por e gjitha shkaktoi një panik të madh.

Për të kuptuar se çfarë po ndodh, do të duhet të kthehemi pas në kohë, 3 mijë vjet më parë, atëherë kur babilonasit shpikën për herë të parë konceptin e yjësisë. Vëzhgues të zellshëm të natës, kjo perandori e lashtë përdori yjet si një mënyrë për të llogaritur kohën dhe për t’i shpjeguar vetes si njerëz të lidhur ngushtë me universin.

Duke e ndarë qiellin në duzina pjesë të barabarta për të imituar kalendarin e tyre 12 mujor, babilonasit zgjodhën një yjësi, ose zodiakun, që në një mënyrë në tjetrën përfaqëson çdo pjesë.

Teksa Toka orbiton, Dielli kalon përmes çdo zodiaku, si akrepi i një ore.

Por përcaktimi i një pjese të qiellit me një yjësi është e vështirë dhe mes datave ka pak mbivendosje.

Për më tepër, babilonasit kishin identifikuar 13 yjësi në zodiak, kështu që një prej tyre duhet të lihej jashtë në mënyrë që t’i përshtatej kalendarit tonë. Humbësi fatkeq ishte Opiuchus.

E gjitha kjo ishte për të treguar se, teksa astrologjia është e bazuar në yjësi, është ekstremisht arbitrare, sidomos sot, kur qielli është zhvendosur për shkak të një pjerrtësie në boshtin e Tokës.

Në 2016-n, Space Place, një faqe edukative për fëmijët, e drejtuar nga NASA, shpjegoi sesa të vjetëruar janë në të vërtetë zodiakët.

“Kur babilonasit shpikën për herë të parë 12 shenjat e zodiakut, një ditëlindje mes 22 Korrikut dhe 22 Gushtit, do të thoshte se personi kishte lindur nën yjësinë e Luanit. Tani, 3 mijë vjet më pas, qielli është zhvendosur sepse boshti i Tokës (Poli i Veriut ) nuk ka njëjtin drejtim”, thuhej në blog.

Me shtimin e një shenje të 13 në zodiak, astronomët në atë kohë përllogaritën datat e reja për shenjat. Sigurisht kjo nuk sugjeronte asnjë lloj ndryshimi zyrtar të shenjave, ishte thjeshtë përllogaritje interesante matematikore.

Por shumë njerëz e marrin shumë seriozisht shenjën e tyre të zodiakut dhe kjo ishte e tepër për ta. Pasi ky postim u publikua në blog, zërat u shpërndanë me shpejtësi nëpër internet, se NASA kishte ndërruar papritur shenjat e horoskopit.

Pak a shumë që prej asaj kohe, Agjencia është përpjekur që të lajë duart mbi këtë çështje, duke e bërë sa më të qartë për publikun që astrologjia nuk ka lidhje me astronomët. E megjithatë, ndonëse e bën këtë herë pas herë, zërat rikthehen sërish, si në rastin konkret, duke e detyruar NASA-n që të përgënjeshtrojë sërish.