Shkencëtarët e NASA-s po marrin një dhuratë shumë të veçantë për ditën e Vitit të Ri. Anija hapësinore “New Horizons” po zhvendoset në një hapësirë të paeksploruar më parë përtej planetit Neptun, për të shqyrtuar objektet më të largëta të sistemit tonë diellor, të cilat mezi dallohen edhe me teleskop. Ky udhëtim i largët në hapësirë mund t’i ndihmojë shkencëtarët të kuptojnë se si u krijua sistemi ynë diellor.
Që kur anija hapësinore “New Horizons” u largua nga Toka në vitin 2006, shkencëtarët e NASA-s kanë shpresuar shumë tek ky mjet pa ekuipazh. Këtë javë shpresat po përmbushen.
“Anija gjendet në një pjesë krejtësisht të paeksploruar të sistemit diellor, të quajtur Brezi Kuiper. Është një disk materialesh të lëna pas që nga krijimi i planeteve. Fillon në një distancë prej 4.8 miliardë kilometrash nga Dielli”, thotë Alan Stern, i projektit “New Horizons”.
Anija do të fluturojë pranë një prej pjesëve më të veçanta, një shkëmbi të quajtur Ultima Thule.
“Kjo pjesë e sistemit diellor e ndodhur kaq larg Diellit, ruan kushtet fillestare të 4.5 miliardë viteve më parë që nga formimi i planeteve. Pra, kur të gjendemi pranë Ultimas, do t’i shikojmë gjërat siç kanë qenë në fillim”, thotë zoti Stern.
Anija hapësinore “New Horizons” po udhëton me një shpejtësi prej 51 mijë kilometrash në orë, por do të ketë mjaftueshëm kohë për të marrë fotografi dhe informacion.
Anija ka marrë tashmë imazhe të planetit Pluton, por ai është një objektiv shumë më i vogël.
Deri më tani kemi mundur të shohim vetëm shumë pak detaje të Thule-it, prandaj afrimi pranë këtij shkëmbi është një arritje e madhe për NASA-n.
“Në pikën më të afërt, do të mundohemi të kapim pamje të Ultimas me rezolucion tre herë më të mirë se të Plutonit. Do të ishte një arritje spektakolare”, thotë zoti Stern.
Pas Ultimas, shkencëtarët thonë se anija “New Horizons” do të ketë mjaftueshëm karburant për të funksionuar deri në vitin 2026.