Toka po mban gati dy herë më shumë nxehtësi sesa në 2005. Një studim i ri i NASA-s dhe Administratës Kombëtare të Oqeanisë dhe Atmosferës (NOAA) zbuloi se disekuilibri energjetik i Tokës pothuajse është dyfishuar nga 2005 në 2019.
Ky disekuilibër është praktikisht ndryshimi midis asaj se sa “energjia rrezatuese” e Diellit absorbohet nga atmosfera dhe sipërfaqja e Tokës, krahasuar me sa “rrezatimi infra i kuq termik” kthehet në hapësirë.
Kjo do të thotë se planeti po nxehet akoma më shumë.
Shkencëtarët krahasuan të dhënat nga sensorët satelitorë – të cilët ndjekin sesa energji hyn dhe del nga sistemi i Tokës – me të dhënat e mbledhura nga oqeanet.
Rreth 90% e energjisë së tepërt që vjen nga ky disekuilibër shkon në oqean. Rrjedhimisht, të dhënat e sensorëve satelitorë duhet të korrespondojnë me ndryshimet e temperaturës në oqeane.
Studimi zbuloi se ky dyfishim vjen pjesërisht si rezultat i një rritjeje të gazeve serë dhe avujve të ujit.
Shkencëtarët thonë se ky hulumtim ofron vetëm një copëz të mozaikut të ndryshimit klimatik, dhe sipas Nasa, “nuk është e mundur të parashikohet me siguri se si mund të jetë në dekadat e ardhshme bilanci i energjisë së Tokës”.
Studimi konkludon se, nëse nuk ngadalësohet shkalla e thithjes së nxehtësisë, duhet të priten ndryshime të tjera klimatike.