Bota Nata e 1989-ës (dhe fjalia) që ndryshoi Putinin përgjithmonë

Nata e 1989-ës (dhe fjalia) që ndryshoi Putinin përgjithmonë

Obsesioni i Vladimir Putin për rivendosjen e pushtetit ish-sovjetik është shumë logjik për shumë psikanalistë: si një ish-anëtar i KGB-së i formuar gjatë Luftës së Ftohtë, kreu i shtetit 70-vjeçar rus rezonon kryesisht me modelet mendore të adoptuara në rininë e tij. Kushdo që dëshiron të kuptojë Vladimir Putinin sot, duhet të dijë historinë e tij si agjent i KGB-së, dhe veçanërisht ngjarjet traumatike që ai përjetoi një natë në fund të viteve 1980 në Gjermaninë Lindore.

Si fillim, ia vlen të theksohet se Putini nuk ishte një spiun “krem” i KGB-së.

Ndonëse shpesh portretizoheshin si të tillë, spiunët më elitarë dhe më të aftë sovjetikë vepronin në Nju Jork, Uashington, Londër dhe qendra të tjera kyçe të botës perëndimore. Në të kundërt, në Dresdenin e parëndësishëm strategjik, ai ishte një mbikëqyrës i zakonshëm i Moskës i Stasi-t të Gjermanisë Lindore, policisë sekrete të shefit të atëhershëm të RDGJ-së, Erich Honecker.

Platov ishte emri i koduar

Në vitin 1975, pasi ishte diplomuar së fundmi për drejtësi ndërkombëtare në Universitetin e Leningradit, Putin u punësua nga shërbimet sekrete sovjetike.

Pesë vjet më vonë e gjeti veten nënkolonel, i martuar me ish-stjuardesën e Aeroflot, Ludmilla Alexandrovna Skrebneva dhe baba i një fëmije, ai u dërgua si shef i misionit në Dresden, në RDGJ, me detyrën për të mbledhur informacion mbi disidentët dhe për të vlerësuar performancën e kolegëve.

Platov ishte emri i koduar. Kryeqyteti i Saksonisë i ka mbetur në zemër. Edhe pse aty filloi të lëkundet universi i tij. Këto ishin vitet e perestrojkës së Gorbaçovit, të cilin udhëheqësit komunistë të Gjermanisë Lindore refuzuan ta ndiqnin.

Nata e 1989-ës që ndryshoi Putinin përgjithmonë

Natën e 5 dhjetorit 1989, më pak se një muaj pas rënies së Murit të Berlinit, nënkoloneli Putin, i cili kishte kaluar ditë e net duke djegur dokumente konfidenciale, thirri garnizonin sovjetik të vendosur në Potsdam duke kërkuar ndihmë dhe kërkuar një ndërhyrje të armatosur. Një turmë e zemëruar kishte rrethuar ndërtesën e KGB-së dhe kërcënoi se do ta sulmonte. Përgjigja ishte negative: “Ne presim urdhra nga Moska, por qendra hesht”.

Ajo fjali shënjoi në jetën e tij përgjithmonë. Paraliza e pushtetit dhe kaosi i sheshit kanë qenë makthi i tij që atëherë. Siç tha ai në vitin 2000, vitin kur u zgjodh president i Rusisë, “në ato rrethana funksionon vetëm një gjë: duhet të godasësh më parë dhe të godasësh aq fort sa kundërshtari yt të mos jetë më në gjendje të ngrihet”. “Ne do të kishim shmangur shumë probleme,” shtoi ai, “nëse nuk do ta kishim lënë Evropën Lindore kaq shpejt.”

Më e madhja, sipas Putinit, ishte rënia e mëvonshme e Bashkimit Sovjetik, kur shkëputja e republikave, veçanërisht e atyre sllave, “i bëri rusët grupin etnik më të madh në botë që ndahej me kufijtë shtetërorë”. Atë natë tek ai ndoshta kishte lindur misioni për ta ribashkuar atë.