Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, konfirmoi se Shqipëria ka kërkuar ngritjen e një baze detare të Aleancës në Shqipëri.
Baza e dyte, pas asaj ajrore në Kuçovë, është propozuar të ngrihet në Pashaliman. Ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, i është drejtuar pak ditë më parë më një letër, e cila është e klasifikuar sekret, Komandantit Suprem të NATO-s Tod Wolter, ku shprehet gatishmëria që NATO të ketë një bazë detare për operacionet e saj, në Pasha Liman.
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, pas takimit me Presidentin Ilir Meta, tha se aleanca nuk ka ende një vendim për këtë.
“Nuk është marrë asnjë vendim për një investim shtesë në bazë detare. Ky është një vlerësim që bëhet nga autoritetet ushtarake dhe bazuar në këtë NATO do të marrë një vendim”.
Situata politike në Shqipëri, ka qene gjithashtu në qendër të diskutimit mes Metës e Stoltenberg.
“Ne shprehëm bashkërisht zhgënjimin për mungesën e një vendimi nga Këshilli Europian për hapjen e negociatave për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Ne do dyfishojmë përpjekjet për realizmin e objektivit për anëtarësim në BE dhe të punojmë me vendet e BE për të adresuar shqetësimet e tyre. Sa i përket situatës politike, duhet te marrim në konsideratë mesazhin e Stoltenberg në verë, se duhet dialog dhe se në zemër të NATO-s është demokracia”, tha Meta. Sekretari i përgjithshëm i NATO-s evitoi deklaratat direkte referuar krizës politike në vendin tonë, por vlerësoi angazhimin e Shqipërisë në mbështetje të paqes e stabilitetit në rajonin e Ballkanit.