Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, dhe shefi i diplomacisë së Bashkimit Evropian, Josep Borrell, i bënë thirrje Kosovës që të shtensionojë situatën dhe të mos ndërmarrë “hapa të njëanshëm dhe destabilizues”.
Përmes një postimi në Twitter, shefi i NATO-s, tha se ka biseduar me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të Bashkimit Evropian, lidhur me situatën në Kosovë, pas rritjes së tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
“Bisedova me përfaqësuesin e lartë, Josep Borrell, lidhur me Kosovën. Prishtina dhe Beogradi duhet të angazhohen tani në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja, si rruga e vetme drejt paqes dhe normalizimit. Prishtina duhet të shtensionojë situatën dhe mos të ndërmarrë hapa të njëanshëm, hapa destabilizues. Misioni i NATO-s në Kosovë, KFOR do të vazhdojë të ofrojë mjedis të sigurt”, u shpreh ai.
Sakaq, Borrell tha se mirëpret koordinimin e mirë midis misionit të BE-së në Kosovë për Sundim të Ligjit (EULEX) me KFOR-in për të ofruar mjedis të sigurt në Kosovë.