NATO është duke shqyrtuar shkallën e bashkëpunimit me Kosovën, për shkak të tarifës prej 100 për qind të vendosur kundrejt importeve nga Serbia dhe Bosnje-Hercegovina.
Sekretari i Përgjithshëm i aleancës, Jens Stoltenberg deklaroi se “kjo masë e ka bërë dialogun mes Kosovës dhe Serbisë edhe më të vështirë”, e madje sipas tij “po e kthen procesin në rrugë të gabuar”.
Shtetet e Bashkuara kanë qenë shumë të qarta sa i përket tarifës në fjalë.
“Kjo është arsyeja se përse ne kemi vendosur tani që të shqyrtojmë shkallën e bashkëpunimit tonë me Kosovën. Por, ashtu siç kam deklaruar edhe më parë, kjo nuk ka të bëjë me KFOR-in. KFOR-i do të vazhdojë ashtu siç është parashikuar me mandatin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne do të shqyrtojmë përkrahjen dhe karakterin e bashkëpunimit të NATO-s jashtë KFOR-it”, deklaroi Stoltenberg.
Kreu i aleancës së Atlantikut të Veriut përmendi edhe transformimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në ushtri, e foli edhe këtu për rishikim të shkallës së bashkëpunimit.
“U kam treguar autoriteteve në Prishtinë se vendimi për transformimin e FSK-së në ushtri është marrë në kohë të papërshtatshme”, përsëriti edhe njëherë numri një i NATO-s, që shtoi se diskutimet mbi nivelin e angazhimit me FSK-në janë duke vazhduar dhe se vendimi do të merret e shumta në fillim të pranverës.