Një ekip i NATO-s ka mbërritur në Shqipëri pas sulmeve kibernetike të Iranit për mbështetje dhe asitencë teknike.
Zëvendës ndihmës sekretari i përgjithshëm i NATO-s për sfidat dhe zhvillim të sigurt James Appathurai u shpreh se Shqipëria do të ketë ndihmën dhe mbështetjen e NATO-s në lidhje me sulmet kibernetike që vendi ynë ka pësuar muajt e fundit nga Irani.
Në një konferencë të përbashkët me ministrin e Mbrojtjes, Niko Peleshi në Tiranë zyrtari i NATO-s tha se ai dhe ekipi i tij erdhën në Tiranë për të parë nga afër situatën si edhe për të bërë një koordinim më të mirë për të ndihmuar vendin tonë.
“Të gjitha vendet e NATO-s e njohin sulmin që i është bërë Shqipërisë dhe sigurisht e mbështesin atë në këtë drejtim. Ky është dhe mesazhi që Sekretari i Përgjithshëm i dha kryeministrit Rama në takimin e kaluar. Sigurisht doja të theksoja dhe përpjekjet e shumta që ka bërë shteti shqiptar”, – tha ai.
Ai tha se ndihma ka ardhur nga NATO në nivel teknik nga vende të ndryshme të Aleancës, por edhe në nivelin individual nga struktura të ndryshme.
“Unë dhe ekipi im kemi ardhur këtu për disa arsye të ndryshme, por fillimisht arsyeja kryesore është për të parë situatën dhe për të bërë një koordinim të aleatëve dhe zyrave qendrore të NATO-s në lidhje me sulmin kibernetik që ka ndodhur, për të parë nevojat afatgjata që i nevojiten Shqipërisë për të ndërtuar një rrjet mbrojtjeje ndaj këtyre sulmeve kibernetike dhe Shqipëria po bën hapa përpara në këtë fushë”, u shpreh ai.
Nga ana tjetër, Peleshi tha se nuk janë prekur sistemet e ministrisë së Mbrojtjes, pasi ato janë online dhe jashtë këtij sistemi, por theksoi se duhet pasur kujdes.
“Ky ekip vjen në vendin tonë për të dhënë asistencë në lidhje me çështjet kibernetike, njohje me situatën aktuale si dhe nevojat dhe mundësitë për adresimin e këtyre çështjeve në vazhdim. Pas sulmeve kibernetike ndaj sistemeve dhe infrastrukturës së teknologjive të informacionit të shtetit shqiptar tashmë të identifikuara për nga origjina, i menjëhershëm ka qenë reagimi dhe përgjigja e strukturave të specializuara të vendit në bashkëpunim të ngushtë me vendet aleate”.
Ekipi i NATO-s do të takohet edhe me përfaqësues të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Brendshme, si dhe me përfaqësues të AKSHI-t.
Sistemet qeveritare të Shqipërisë u sulmuan në korrik dhe në shtator, ku Tirana zyrtare akuzon direkt Iranin.