Politika Zgjedhjet në Itali, Salvini: Shpresoj të jem shpejt në Shqipëri si përfaqësues...

Zgjedhjet në Itali, Salvini: Shpresoj të jem shpejt në Shqipëri si përfaqësues i qeverisë së re

Matteo Salvini, lider i Partisë Lidhja, një nga forcat kryesore të koalicionit të qendrës së djathtë italiane, e një nga polet politike më të favorizuara nga sondazhet për të fituar zgjedhjet e parakohshme të 25 shtatori në një intervistë për RTV Ora, shprehet se “shpreson që shumë shpejt të vizitojë për herë të parë Shqipërinë në veshjen e një përfaqësuesi të një qeverie të djathtë”.

Intervista u mor nga gazetarja Alba Kepi

Senatore Salvini, lider i Partisë Lidhja, faleminderit që pak ditë para zgjedhjeve pranuat këtë bisedë të shkurtër për RTV Ora e Ora News Albania. Në Itali jetojnë rreth 700 mijë emigrantë shqiptarë e mjaft prej tyre me të drejtë vote në këto zgjedhje të 5 shtatorit. Dhe në këtë fushatë elektorale, kundërshtarët tuaj politikë kujtojnë fjalët tuaja ndaj shqiptarëve që i quanit dikur trafikantë, kontrabandistë, kriminelë. Si i komentoni?

Matteo Salvini: Për mua është vërtetë një emocion që në këtë fushatë elektorale të gjej në sheshe mjaft flamuj shqiponje, pra shqiptarë. Do të thotë se gjatë gjithë këtyre viteve miqësi, frekuentim e njohje na kanë ndihmuar të kuptohemi, të vlerësohemi e të gjejmë pika takimi me njëri-tjetrin. Jeni një popull krenar i historisë suaj, kulturës e traditës. Jeni një popull i pranishëm në të gjithë territorin italian e përbërë në shumicën e rasteve nga gra e burra të mirë që punojnë. E nëse ka disa që gabojnë, ashtu siç ka dhe italianë është e drejtë të dënohen.

Senatore ju jeni një lider i një partie të djathtë në një vend mik për Shqipërinë. Si janë raportet tuaja me të djathtën shqiptare. A keni një shkëmbim politik me politikanët e djathtë shqiptarë? Po me qeverinë e majtë shqiptare?

Matteo Salvini: Unë mendoj se raporti mes Italisë e Shqipërisë duhet të jetë më i fortë. Unë kam raporte të vazhdueshme me mjaft politikanë shqiptarë si të opozitës ashtu dhe të qeverisë sepse në ndryshim nga e majta italiane unë nuk bëj diskriminim. Është detyrimi e kënaqësia ime të kem kontakte të drejtpërdrejta me Tiranën.

Shpresoj vërtetë shumë që të vij për herë të parë në Shqipëri në veshje qeveritare në rrugë zyrtare, pasi duhet t’i bëjmë më të ngushta raportet mes Shqipërisë e Italisë që kohët e fundit janë rralluar për faj dhe të qeverive italiane e të një Bashkimi Europian të hutuar. Afërsia në rrugëtimin e integrimit të Shqipërisë e të vendeve të tjera fqinje në Europë është thelbësor.

Senatore ka një preokupim të madh në komunitetin e emigrantëve shqiptarë në Itali për reformën e pensioneve e njohjen e viteve të punës së emigrantëve punonjës shqiptarë. Gjatë kësaj legjislature që po mbyllet e qeverisë Draghi nisi praktika e realizimit të kësaj reforme mes dy vendeve e preokupimi është nëse në Itali do të fitoj një qeverisje e djathtë a do të mund të përmbyllet realizimi i kësaj reforme?

Matteo Salvini: Nëse qendra e djathtë do të fitojë, nëse fiton Lega, prioritet kemi disa reforma në Itali. Në plan kemi reformën e pensioneve, shkurtimin e taksave, kontrollin e kufijve, që janë në mbrojtje dhe të interesave të qytetarëve të huaj në Itali e që nuk duhet të njësohen me ato të emigrantëve të parregullt që zbarkojnë, atyre që trafikojnë, që vjedhin. Unë falënderoj popullin tuaj krenar e i përshëndes në distancë e shpresoj që të mbërrij shpejt zyrtarisht në Tiranë si pjesë e një qeveri të re.

Të dielën në Itali e mjaft emigrantë shqiptarë në këtë vend kanë të drejtë vote e mund të zgjedhin një Itali që rritet ekonomikisht, që synon punësimin, zhvillimin, mikpritjen, meritokracinë, gjithëpërfshirjen e respektin ndaj identitetit. Lidhja është një lëvizje e autonomisë, identitetit, Europës së popujve. E u kërkoj dhe shqiptarëve të Italisë të zgjedhin Lidhjen, të zgjedhin ndershmërinë, rregullat, punësimin. Faleminderit për çdo besim tuajin e shihemi së shpejti ne Shqipëri.

***

Një nga institutet më të njohura të analizave e studimeve politike, Demopolis ka publikuar sondazhin e tij të fundit sipas të cilit Qendra e djathtë Italiane drejtuar nga Giorgia Meloni e Fratelli d’Italia mund të marri 46.5% të preferencës së votës së italianëve,

Qendra e majtë e drejtuar nga Partia Demokratike me 29% të votës, Lëvizja 5 Yje 12.8% e poli i tretë i përbërë nga Partia Italia Viva e Matteo Renzit e Azione e Carlo Calenda me 7%.