-Presidenti polak tha se nuk ka asnjë shenjë se raketa që goditi territorin polak mbrëmjen e së martës ishte pjesë e një sulmi të qëllimshëm. Duda u shpreh se është “shumë e mundshme” që një shpërthimi të jetë shkaktuar nga mbrojtja ajrore e Ukrainës
-Edhe shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, i cili mbajti një konferencë për shtyp, tha gjithashtu se incidenti në Poloni “ka të ngjarë” të jetë shkaktuar nga aktiviteti i sistemeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
-Dy persona u vranë pasi një raketë ra në Poloninë lindore pranë kufirit ukrainas, pas një vale sulmesh ruse në të gjithë Ukrainën.
-Më herët, kryeministri Rishi Sunak tha se Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e saj po përpiqeshin të vërtetonin faktet rreth shpërthimit.
-Presidenti amerikan Joe Biden tha se nuk ka gjasa që raketa të jetë lëshuar nga Rusia
-Reagimi amerikan mori lëvdata të rralla nga Rusia. Një zëdhënës i Kremlinit e përshkroi atë si “të përmbajtur dhe profesionale”.
Raketa në Poloni, Stoltenberg: Nuk ka të dhëna që ishte e qëllimshme
Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg deklaroi këtë të mërkurë se nuk ka të dhëna që të sugjerojnë se shpërthimi i raketës në Poloni erdhi si rezultat i “një sulmi të qëllimshëm”.
Pas mbledhjes urgjente të NATO-s, ai doli në një konferencë për shtyp, për shpërthimin e ndodhur mbrëmjen e së martën në një fshat në Poloni pranë kufirit me Ukrainën, shkaku i saktë i të cilit mbetet i pakonfirmuar.
“Nuk ka asnjë tregues se Rusia po përgatit veprime ushtarake sulmuese kundër NATO-s”, tha Stoltenberg.
Ai shtoi se hetimet po vijojnë dhe duhet të pritet përfundimi i tyre. Ashtu siç deklaroi më herët vetë presidenti i Polonisë, edhe Stoltenberg tha se “ka gjasa” që shpërthimi të jetë shkaktuar nga aktiviteti i sistemeve të mbrojtjes ajrore të Ukrainës.
Megjithatë, kreu i Aleancës tha se “Rusia mban përgjegjësinë përfundimtare, pasi vazhdon luftën e saj të paligjshme kundër Ukrainës”.
Stoltenberg thotë se aleatët e NATO-s kanë shprehur “mbështetje të fortë” për aleatin e tyre Poloninë dhe kanë shprehur “ngushëllimet e tyre më të thella për humbjen tragjike të 2 jetëve”.
Rusia vlerëson reagimin e SHBA për raketën në Poloni: Profesional dhe i përmbajtur
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka vlerësuar SHBA për reagimin e saj ndaj shpërthimit të një rakete në Poloni të martën. Gjatë një konferencë për shtyp, Peskov akuzoi Poloninë dhe “një linjë të tërë vendesh të tjera” se reaguan “në mënyrë histerike” për incidentin duke akuzuar Rusinë si përgjegjëse pa asnjë provë.
Peskov vlerësoi reagimin e SHBA-së për incidentin pasi Presidenti Joe Biden tha se me shumë gjasa, raketat nuk janë hedhur nga rusët.
“Ia vlen të përmendet reagimi i përmbajtur dhe shumë më profesional i palës amerikane dhe presidentit amerikan”, tha Peskov.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha gjithashtu se bombardimet e fundit në Ukrainë u kryen vetëm në objektiva brenda vendit dhe ishin të paktën 35 kilometra nga kufiri polak.
Zëdhënësi Igor Konashenkov tha se “rënia e raketave të supozuara ruse” në fshatin polak Przewodow “janë një provokim i qëllimshëm me qëllim përshkallëzimin e situatës”.
Presidenti Polak: Sulmi me raketa, me gjasë i shkaktuar nga mbrojtja ajrore ukrainase
Në një deklaratë për mediat, Presidenti polak Andrzej Duda tha këtë të mërkurë se ka “shumë të ngjarë” që shpërthimi me raketa në një fshat në vendin e tij, të jetë shkaktuar nga mbrojtja ajrore ukrainase.
Ukraina po përpiqej të mbrohej nga një breshëri sulmesh ruse me raketa mbrëmjen e së martës. Vetë Rusia ka mohuar se ishte fajtor për shpërthimin në fshatin polak.
Nga ngjarja humbën jetën 2 persona. Fshati ku ndodhi ngjarja është në kufi me Ukrainën.
Andrzej Duda theksoi se nuk ka të dhëna që tregojnë se sulmi ishte i qëllimshëm dhe u shpreh se me shumë mundësi për fjalë për një “incident fatkeq”.
Sulmi me raketa në Poloni, Macron: Le të presim rezultatet e hetimit
Presidenti francez u tregua i kujdesshëm që të mos e drejtonte gishtin ndaj askënd, sa i përket sulmit me raketa të ndodhur mbrëmjen e së martës në një fshat të Polonisë. Duke folur për gazetarët në përfundim të samitit të G20 në Indonezi, Emmanuel Macron theksoi se “ka një hetim për të kuptuar plotësisht atë që ndodhi”.
Macron tha se ka një dallim midis shpërthimit në Przewodow, shkaku i të cilit mbetet i paqartë, dhe breshërisë së sulmeve ruse në Ukrainë të martën.
I pyetur nga gazetarët nëse ky shpërthim mund të jetë një sulm rus për të provokuar Perëndimin, Macron tha se ai “nuk ishte i sigurt” për diçka të tillë.
Rusia mohon të ketë lëshuar raketa në Poloni dhe ka sugjerime se në fakt mund të jetë qëlluar nga sistemet e mbrojtjes ajrore ukrainase.