Kulturë Ndahen çmimet e Panairit të Librit, Zija Çela shkrimtari më i mirë

Ndahen çmimet e Panairit të Librit, Zija Çela shkrimtari më i mirë

Janë ndarë mesditë e kësaj të shtune çmimet e edicionit të 25-të të panairit të librit. Shkrimtari më i mirë i vitit u shpall Zija Çela, teksa libri më i mirë studimor “Tri format e mendimit” nga Arben Imami.

Një ditë përpara përfundimit të tij janë ndarë këtë të shtunë çmimet e edicionit të 25- të të “Panairit të Librit”. Juria e përbërë nga 5 anëtarë mes tyre shkrimtarë, përkthyes dhe studiues, kanë përzgjedhur fituesit mes 59 autorëve shqiptarë dhe 50 të huaj të propozuara nga shtëpitë botuese pjesëmarrëse.

Kryetari i jurisë, shkrimtari Virgjil Muçi në fjalën e tij në ceremoni shpjegoi metodologjinë e përzgjedhjes së fituesve.

“U shqyrtuan vetëm ato vepra të paraqitura prej shtëpive botuese pjesëmarrëse në panair, të cilat patën mirësinë t’ia përcillnin librat jurisë”, tha Muçi.

Çmimi për shkrimtarin më të mirë të vitit shkoi për Zija Çelën me romanin “Banka e ankesave”’.

“Që të jem i sinqertë nuk e kisha marrë me mend këtë çmim, pasi është edhe një vit i veçantë. Filloi me çmimin e prozës më të mirë në Gjakovë, Gjergj Fishta në Lezhë, tani shpejt Teuta në Podgoricë dhe thashë boll më”, u shpreh shkrimtari Zija Çela.

Kryetari i shoqatës së botuesve, Petrit Ymeri nuk harroi të vlerësonte punën e botuesve dhe kontributin e tyre.

“Ne e bëjmë këtë punë, të gjithë ne botuesit sepse e duam librin, e duam kulturën, e duam vendin tonë duam dhe të ardhmen e vendit tonë”, tha Petrit Ymeri, kryetar i shoqatës së botuesve shqiptarë.

Gjithashtu, me çmimet në këtë panair u vlerësuan edhe autorë si Arben Imami për veprën më të mirë studimore, Natasha Porocani Shuteriqi me çmimin e letërsisë për fëmijë, Romeo Çollaku për përkthimin më të mirë të vitit dhe Klarita Lagji për përkthimin më të mirë nga letërsia franceze, çmim që akordohet nga ambasada franceze në vendin tonë.