Ndahet nga jeta në moshën 89-vjeçare kineasti Kristaq Dhamo. Dhamo është regjisori dhe skenaristi i filmit të parë shqiptar me metrazh të gjatë, “Tana” i prodhuar më 1958.
Dhamo u nda nga jeta në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ku ishte zhvendosur prej vitesh së bashku me familjen.
Nën regjinë dhe skenarin e tij janë prodhuar mjaft filma të njohur shqiptarë si “Botë e padukshme”, “Vendimi”, “Qortimet e vjeshtës”, “Mëngjese lufte” e shumë realizime të tjera në fushën e kinematografisë shqiptare.
Kristaq Dhamo lindi më 20 Prill 1933 në Fier dhe kishte mbaruar studimet në Institutin e Lartë kinematografik në Budapest, Hungari. Pas filmit të parë shqiptar, për shumë vite ai ka qenë drejtor artistik në Kinostudio.
Në 1979 i është dhënë titulli “Artist i merituar” dhe në vitin 1987 është nderuar me titullin “Artist i Popullit”. Në festivalin e XI-të i filmit shqiptar 2000 është nderuar me çmimin e karrierës.