Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, reagon ashpër ndaj vendimit të Serbisë për të mos lejuar pjesëmarrjen e boksierëve kosovarë në kampionatin botëror në Beograd.
“Serbia duhet të tregojë forcën e saj në ringun e boksit, jo në kufi. Vendimi i tyre për të mos lejuar hyrjen e sportistëve tanë për Kampionatin Botëror të Boksit 2021 është një shkelje e normave ndërkombëtare të sportit”, shkruan Kurti në rrjetin social Twitter.
Gjithashtu ai i bën thirrje Bashkimit Europian dhe bashkësisë ndërkombëtare që ta dënojnë këtë shkelje dhe veprim diskriminues.
Një reagim lidhur me këtë zhvillim erdhi nga Brukseli, që i kërkoi Serbisë të lejojë pjesëmarrjen e Federatës Kosovare të Boksit. Ndërkohë, qeveria e Prishtinës po shqyrton që të ndalojë zhvillimin e aktiviteteve paralele serbe në Kosovë.