Mision në të gdhirë. 460 policë kontrollojnë 24 objekte. Një shoqatë xhamie ndalohet. Senatori i brendshëm i Berlinit flet para shtypit për një “hap të rëndësishëm në luftimin e terrorizmit”.
Do të na pëlqente ta besonim. Por aksioni luftarak dy muaj pas udhëtimit terrorist në sheshin Breitscheid të Berlinit duket më tepër si një përpjekje e vonuar për ta kompensuar me aksionizëm dështimin e sistemit të institucioneve në rastin Anis Amri.
Që të mos krijohet ndonjë keqkuptim: ndalimi i shoqatës së xhamisë “Fussilet 33” ishte i drejtë. Në dhomat e saj jo vetëm që qarkullonte rregullisht atentatori i Berlinit Anis Amri. Përveç Amrit në xhami hynin e dilnin të paktën dhjetë nga 150 rrezikuesit e njohur për policinë në Berlin. Është veprim i duhur që skena salafiste-xhihadiste të shqetësohet me ndalime dhe bastisje të tilla, që t’i hiqet siguria, që t’i tregohen vijat e kuqe.
Procedura e ndalimit që në vitin 2015
Por ndalimi vjen me vonesë të madhe. Jo, sepse në pritje të ndalimit xhamia i kishte mbyllur që prej një jave dyert e saj. Por sepse autoritetet punonin që në vitin 2015 për ndalimin e saj. Xhamia qe e njohur për hetuesit si “xhamia e IS”. Vetëm se punonjësi kompetent për këtë çështje u sëmur. Procedura mbeti nëpër korridoret e gjata të Ministrisë së Brendshme të Berlinit. Dhe për xhihadistët mbeti i hapur një vend ku mund të tërhiqeshin. Prandaj përfundimi i parë në të cilit arrihet është: nuk kemi nevojë për ligje më të ashpra. Vetëm ligjet ekzistuese duhet të zbatohen. Por kjo duhet të bëhet në kohë të afërt, prej institucioneve që veprojnë me përgjegjësi. Dhe ku të jetë e mundur, shteti që e ka reduktuar në maksimum personelin duhet të punësojë personel të ri.
Nuk ka vend për shoqëri paralele islamiste
Shoqëri paralele islamiste-salafiste nuk kanë vend as në një shoqëri multikulturore. Vetëm: vërtet mund t’i ndalosh shoqatat e xhamive dhe t’i mbyllësh xhamitë. Por ideologjinë ekstremiste nuk mund ta ndalosh. Nëse tani mbyllen xhami me lidhje me skenën ekstremiste, islamistët kërkojnë pika të reja takimi – për shembull në ambiente private. Këtë autoritetet e sigurisë duhet ta mbajnë mirë parasysh.
Përfundim tjetër: krahas aksioneve të policisë duhet të bëhet punë parandaluese dhe një përpjekje për privilegjin e interpretimit të fesë islame. Në të gjithë botën po avancojnë forma ultrakonservatore të fesë islame, edhe në Evropë. Pjesërisht me mbështetjen masive të shteteve arabe të Gjirit. Evropa, Gjermania duhet të veprojë kundër kësaj. Përfaqësuesve të një feje liberale islame u duhet dhënë mbështetje. Sepse ata ekzistojnë – edhe nëse janë më pak të organizuar se konservatorët dhe po i ndërtojnë strukturat e tyre tani. I pëlqen dikujt apo jo: myslimanët janë minoriteti që po rritet më me shpejtësi në Gjermani. Prandaj duhen bërë të gjitha përpjekjet që në Gjermani të zhvillohet një fe islame iluministe dhe liberale./DW