Politika Ndarja nga jeta e Marko Bellos, politikanët shprehin ngushëllimet

Ndarja nga jeta e Marko Bellos, politikanët shprehin ngushëllimet

Marko Bello, ish-deputeti i PS është ndarë nga jeta në moshën 59-vjeçare pas betejës disa ditore me COVID-19. Krerët e shtetit e politikanë të tjerë kanë shprehur ngushëllimet për vdekjen e kolegut dhe mikut të tyre.

Lajmin për ndarjen nga jeta e dha ish-deputeti i PS, Namik Dokle, i cili shkroi se ishte trishtuar shumë dhe nuk mundi ta besonte.

“Sa i trishte! Sa i pabesueshem ky lajm i mesnates per vdekjen e mikut, kolegut, Marko Bello. Pa i mbushur ende te gjashtedhjetat, na e mori covidcolera! C’behet keshtu? Po na behet fejsbuku varreze!!! Lamtumire, i dashur Marko! Nuk do ta harroj kurre buzeqeshjen tende te pandare, shakane tende mbushur me miresi…”, ishte ky reagimi i Dokles.

Një mesazh ngushëllimi ka ardhur dhe nga kreu i shtetit, i cili shkruan se ikja e Bellos është një humbje e madhe.

“Sa shumë dhimbje nga kjo ikje e parakohshme e një miku, bashkëpunëtori, kolegu, intelektuali aktiv, qytetari model e familjari shembullor! Zoti ju dhëntë forcë Silvanës, fëmijëve e të afërmve për këtë humbje kaq të madhe, që na tronditi të gjithëve këtë mëngjes!”, shkruan Presidenti.

Edhe kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi e kujton me dhimbje kolegun e tij e shprehet se Bello ishte një zë i fuqishëm i qytetarëve.

“Sot iku Marko Bello. Familja humbi njeriun më të dashur, bashkëshortin dhe prindin, mungesa e të cilit do t’u shkaktojë një dhimbje të thellë. Ne humbëm shokun, mikun dhe kolegun tonë të rrallë e të respektuar. Shqipëria humbi një personalitet që i ka shërbyer me devocion si deputet për tre legjislatura, si ambasador, si ministër e si profesor. ]Por mbi të gjitha, të gjithë humbëm një qytetar të denjë e patriot të madh”, është ky mesazhi i Ruçit.

Për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PS, ka reaguar dhe kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha.

“Mësova me hidhërim për ndarjen nga jeta të ish-ministrit dhe ish-deputetit Marko Bello. I shpreh ngushëllimet e mia familjes Bello për humbjen e babait dhe bashkëshortit të përkushtuar, dhe të gjithë miqve dhe kolegëve që humbën të afërmin dhe mikun e tyre të dashur. Marko Bello do të kujtohet si një qytetar dhe politikan i principtë dhe i moderuar, i prirur drejt bashkëpunimit për hir të interesave të vendit. U prehtë në paqe!”, shkruan Basha.