Shqipëria nuk ka lënë asnjë detyrë pa përmbushur dhe BE duhet të hapë negociatat me vendin tonë. Kështu është shprehur Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Komisionerin për Zgjerimin i Bashkimit Europian, Oliver Várhelyi, i cili sot zhvillon vizitë zyrtare në Tiranë.
“Kjo nuk është një çështje që lidhet me çfarë kemi bërë ne apo nuk kemi bërë ne Shqipëria, por lidhet me ngërçin e krijuar nga vetoja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut. Ne jemi në një kurs që e ka përcaktuar pozicionin tonë si një pozicion konstruktiv dhe të lidhur me pozicionin e Maqedonisë së Veriut”.
Ndërkaq, Rama theksoi se nuk mund të prishet e gjithë puna që po bëhet aktualisht me Bullgarinë vetëm sepse ne duam të integrohemi sa më shpejt.
“Nuk mund t’i biem këmbës o tani o rashë e vdiqa sado të drejtë të kemi sepse përndryshe na mbyllin në banjë siç ndodh me fëmijët që i bien këmbës nëpër filma”, u shpreh Rama.
Ai deklaroi se do të presin deri në fund të qershorit për ta çuar procesin para bashkë me RMV-në.
Por Rama bëri të ditur se nëse negociatat nuk hapen në qershor, atëherë Shqipëria do të kërkojë ndarjen nga Maqedonia e Veriut, e cila ka problem me Bullgarinë.
“E informova dhe me faktin që ne e kemi kryer këshillimin me qytetarët shqiptarë që nëse do ishin dakord me rastin që pas 6-mujorit të përfundimit të presidencës franceze gjendja mbetet e pandryshuar, Shqipëria të ndryshojë kursin dhe të kërkojë haptazi ndarjen nga Maqedonia e Veriut. Por kjo mbetet për t’u përcaktuar si qasje pas kësaj mbledhje të Këshillit të Europës”.
“Duhet djegur me shumë kujdes shamia e beqarit, kam eksperiencë me këtë,” tha Rama.