Kryesore Varhelyi: Kërkoj edhe pak durim nga Shqipëria, integrimi ka të bëjë me...

Varhelyi: Kërkoj edhe pak durim nga Shqipëria, integrimi ka të bëjë me sigurinë

Komisioneri për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Oliver Varhelyi kërkoi edhe pak durim nga Shqipëria për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, teksa shprehu besimin se procesi do të mbyllet brenda presidencës franceze.

Në konferencën e përbashkët për shtyp me kryeministrin Edi Rama në Tiranë, komisioneri i BE, Varhelyi vlerësoi durimin e Shqipërisë në këtë proces ndërsa theksoi se integrimit ka të bëjë me sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor.

“Duhet që të përdorim gjithçka kemi në dorë, të stabilizojmë Ballkanin Perëndimor. I gjithë procesi i integrimit ka të bëjë me sigurinë dhe stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Prandaj nuk mund t’i jap aspak kohë atyre që janë të përfshirë që të mos bëjnë atë që duhet bërë. Këtë vendim duhet ta marrim në tryezë. E vlerësojmë shumë durimin e Shqipërisë. Kërkoj pak më shumë durim nga ana juaj. Synimi është që kjo të arrihet gjatë presidencës franceze”, tha Varhely.

Fakti që ende nuk ka një vendim për Shqipërinë për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian, nuk do të thotë që është një tallje me Shqipërinë, tha Varhelyi.

Oliver Varhelyi mbërriti paraditen e së enjtes për një vizitë zyrtare në Tiranë.

Varhelyi e nisi vizitën e tij në institucionet e vetingut ku rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Bashkimit Europian për reformën në drejtësi.

Gjatë pasdites ai pritet të takohet edhe me kryetaren e Komisionit të Integrimit, Jorida Tabaku.

Vizita e Varhelyi në Shqipëri është në vijim të turit që komisioneri po zhvillon në Ballkanin Perëndimor.