Reforma zgjedhore mund të rikthejë nga pushimet deputetët e Kuvendit. Më 27 dhjetor mund të zhvillohet një seancë e jashtëzakonshme për miratimin e kësaj reforme; seancë që vjen pas presionit të ndërkombëtarëve për ta miratuar brenda dhjetorit, në mënyrë që ajo të jetë gati për zgjedhjet e pushtetit vendor, që zhvillohen në fund të qershorit të vitit të ardhshëm.
Mësohet se përfaqësitë diplomatike perëndimore në Tiranë po diskutojnë me të dyja palët, si me mazhorancën, ashtu edhe me opozitën për t’i bindur që të ulen sërish në sallën e seancave plenare dhe të përfundojnë punën për të realizuar rekomandimet bazike të OSBE/ODIHR.
Sinjalin se Bashkimi Europian kërkon që kjo reformë të mbyllet brenda këtij viti, e dha më 20 dhjetor ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca.
“U bëjmë thirrje partive politike të tregojnë përgjegjshmëri dhe të përfundojnë tani në Parlament punën e mirë të Komisionit ad-hoc, duke miratuar amendamentet e nevojshme për Kodin Zgjedhor”, shkroi ai në Twitter më 20 dhjetor.
Dhjetori ishte afat i vendosur edhe nga kreu i grupit parlamentar, Taulant Balla gjatë takimeve të përbashkëta në Bruksel në muajin nëntor. Por, agjendat politike të ditës, protesta e studentëve dhe skandalet në Unazën e Madhe kaluan në plan të dytë të politikës shqiptare reformën zgjedhore.
Por, ndërkombëtarët po investohen vetë, drejtpërdrejtë dhe me më shumë energji se politika shqiptare për këtë çështje. Përballë këtij presioni ndërkombëtar, mazhoranca çoi në Kuvend draftin e njëanshëm në mes të këtij muaji, pas konsensusin e PD dhe e atë futi në rend të ditës në seancën e fundit.
“Janë të gjitha siç i keni kërkuar, një për një. T’i votojmë në mënyrë që për zgjedhjet e 30 qershorit të jemi gati”, deklaronte Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar socialist.
Partia Demokratike, që theu bojkotin vetëm në dy seancat e fundit parlamentare, duket se u kap në befasi nga propozimi i socialistëve.
“Jeni të poshtër si dreqi, por bëni budallain si gomari. E dini fare mirë që ka një komision. Si mund ta sjellësh pa kaluar komisionin?! E keni marrë mesazhin nga faktori ndërkombëtar. Jeni hileqarë, të poshtër!”, deklaronte Lulzim Basha, duke akuzuar mazhorancën për shkelje proceduriale.