Rrallëherë një person i vetëm mund të ndryshojë rrjedhën e historisë, të paktën asaj pjese të historisë që ka të bëjë me popullin e tij.
Por me shuarjen e 93-vjeçares, Cristina Calderon, bota do të ketë një gjuhë më pak, që prej 6 mijë vitesh flitej në Amerikën Latine, nga Kili në Argjentinë.
Bëhet fjalë për gjuhën Yaman, gjuha e popullit Yagan, nga më të vjetrit që ka banuar ekstremin e atij kontinenti, pothuajse përballë me bardhësinë e Antarktidës.
Ndonëse mbeten ende disa dhjetëra persona të këtij populli të lashtë po aq sa civilizimet e humbura të Majave dhe Aztekëve, asnjë prej tyre nuk është në gjendje të fliste rrjedhshëm gjuhën, përtej disa fjalëve.
Në kohën moderne, kishin mbetur vetëm Cristina dhe motra e saj, që vdiq në vitin 2003. Por gruaja e zgjuar, që jetonte në qytetin Villa Ukika duke shitur çorapet e thurura prej saj, prej disa vitesh kishte ndërmarrë një sipërmarrje për të cilën brezat e ardhshme Yagan, po mbijetuan, duhet ta falënderojnë përgjithmonë.
E ndihmuar edhe nga vajza e saj Lidia – deputete kiliane që ndër të tjera po merr pjesë edhe në draftin e kushtetutës së re të vendit – e moshuara prej vitesh kishte nisur punën për një lloj fjalori të vogël me termat kryesore të gjuhës Yaman, të përkthyera në spanjisht. Një ndihmesë e madhe për të shtuar shpresat e mbijetesës për një gjuhë të lashtë, po aq sa misterioze, origjina e së cilës nuk njihet dhe nuk ka ngjashmëri të dukshme me gjuhët e tjera indigjene përreth.