Mjeku Ilir Alimehmeti është 1 nga 3 kandidatët që do të garojnë në primaret brenda Partisë Demokratike për të zgjedhur kandidatin për Bashkinë e Tiranës në vitin 2023.
I ftuar në “Opinion”, duke folur për urbanizimin e Tiranës dhe ndërtimin e kullave, Alimehmeti u shpreh se ai do të mbështesë vendosjen e referendumit dhe pyetjes së banorëve nëse janë dakord.
“Kulla, kulla, kulla. Sapo pashë zonat e INSTAT, 3-mujori i dytë i 2022, 339 leje ndërtimi. 90 ditë, 339. Bëjeni pjesëtimin vetë, 3-4 leje ndërtimi në ditë, përfshi të shtunë dhe të diel ditë pushimi.
Kulla keni aq sa keni, ju dini dhe një element tjetër. Ato kanë një plan urbanistik patjetër, kanë një miratim nga një KKRT që jo detyrimisht është kryetari i këshillit bashkiak. Por mundet të jenë përkundrejt interesit dhe dëshirës së banorëve dhe gjithë atyre që shfrytëzojnë terrenin. Mund të jetë një plan urbanistik, por kundër dëshirës së popullatës.
Propozimi im është bërja e referendumeve popullore. Nëse janë dakord me atë plan urbanistik, mrekulli fare, me leje, me legjitimitet, me mbështetjen e popullatës, zjarr dhe ecim. Në qoftë se popullata është kundër, qoftë ajo me leje sa të duash, qoftë gjëja më e bukur e botës që ka menduar ai urbanistik, por është kundër dëshirës së popullatës, si neve mund të procedojmë ashtu. Neve duhet ta japim fuqinë e vendimmarrjes atje ku qëndron, tek individi, tek votuesi, tek qytetari”, u shpreh Ilir Alimehmeti.