Nuk është ndërtuar në shkretëtirën Chalbi, mes dunave të bardha të Sahara El Beyda në Egjipt. Kështjella më e madhe në botë ndodhet larg edhe plazheve tropikale dhe vendeve të nxehta. Për ta parë atë, me gjithë madhështinë, duhet të shkojmë në Danimarkë, në qytetin Blokhus.
Me pamje nga Deti i Veriut, kështjella madhështore është e lartë 21.16 metra, duke kapërcyer madje edhe lartësinë e disa pallateve të qytetit. Por kujt i erdhi ideja për të ndërtuar këtë skulpturë rëre madhështore në një qytet të Danimarkës?
Kështjella prej rëre, e cila ka hyrë zyrtarisht në Rekordet e Ginesit, mban firmën e artistit holandez Wilfred Stijger, i cili së bashku me 30 skulptorë nga e gjithë bota, realizoi këtë skulpturë të mrekullueshme me rërë dhe argjilë.
Sot kështjella e Stijger është kështjella e rërës më e lartë në botë, duke thyer edhe rekordin e fortesës gjermane në 2019, me tre metra e gjysmë.
Skulptura është bërë një atraksion turistik në qytetin Blokhus. Se sa do të zgjasë, këtë nuk mund ta dimë, por me shumë gjasa, i ftohti i parë i madh në dimrin e ardhshëm do ta shkatërrojë.
Artisti tha se dëshironte që kështjella të përfaqësonte fuqinë që koronavirusi ka pasur në botë nga fillimi i pandemisë. Në majë të kështjellës prej rëre, është një model virusi me një kurorë në krye.
“Ai po kontrollon jetët tona kudo” – tha Stijger. “Të thotë çfarë të bësh… Të thotë të qëndrosh larg nga familja jote e të mos shkosh në vende të bukura. Të mos merresh me aktivitete, të qëndrosh në shtëpi”.
Kështjella u realizua me 4,860 tonë rërë dhe argjilë. Në fund të punimeve, artistët i shtuan një shtresë ngjitësi për të forcuar strukturën dhe për ta bërë të dukshme edhe në muajt e ardhshëm. Për të festuar këtë sukses, artistët u ngjitën në majë të kështjellës.