Policia e Tiranës bën me dije se ka marrë masa të shtuara për ndeshjen e fundit të Kategorisë Superiore mes Tiranës dhe Bylisit në orën 19:00 që do të zhvillohet në stadiumin “Air Albania”.
Në kuadër të këtyre masave, Policia bën me dije se nuk do të lejojë grumbullimet e tifozëve në kuadër të aktit normativ për parandalimin e përhapjes së koronavirusit dhe do të lejojë në stadium vetëm ata persona të caktuar nga ekipi dhe FSHF, sipas protokollit sanitar “Për organizmin e ndeshjeve të futbollit”.
Gjithashtu do të ketë bllokime të disa segmenteve rrugore, në të cilat nuk do lejohen të lëvizin as mjetet dhe as këmbësorët. Segmentet rrugore që do të jenë të bllokuara, nga ora 16:00 deri në përfundim të aktivitetit, janë:
– Rruga përreth stadiumit “Lek Dukagjini”, rruga “Dervish Hima”, rruga “Gjergj Filipi”, rruga “Papa Gjon Pali II”, nga kryqëzimi me rrugën “Ismail Qemali” deri te stadiumi “Air Albania” dhe bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, nga presidenca, sheshi “Nënë Tereza” deri te sheshi “Shopen”, si dhe sheshi para Universitetit Politeknik.
Policia e Tiranës apelon edhe njëherë për respektim me rigorozitet të protokolleve të sigurisë, me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.