Kryetari i qytetit autonom spanjoll të Melija, Huan Hoze Imbroda, në një intervistë dhënë mediave spanjolle ka bërë publike dëshirën e tij që të marrë përsipër zhvillimin e ndeshjes zyrtare të Spanjës përballë Shqipërisë, e vlefshme për Eliminatoret e Kupës së Botës 2018.
Melija është një qytet autonom spanjoll që ndodhet në veri të kontinentit afrikan. Megjithatë kjo duket thjesht një dëshirë e kryetarit të Bashkisë së këtij qyteti. Eduard Dervishi përfaqësues i marrëdhënieve me jashtë pranë Federatës Spanjolle të Futbollit sqaron gjithçka për Top Channel.
“Kjo është thjeshtë një dëshirë e kryebashkiakut të Malijës dhe thjesht një dëshirë publike. Pranë Federatës Spanjolle të Futbollit nuk ka mbërritur asnjë kërkesë zyrtare për zhvillimin e kësaj ndeshjeje. Gjithsesi është ende shpejt për të menduar se ku do të luaj Spanja me Shqipërinë, me shumë mundësi mund të mbesë brenda territorit spanjoll në kontinentin Europian”, shprehet për Top Channel Eduard Dervishi.
Ndeshja mes Spanjës dhe Shqipërisë është parashikuar të luhet më 6 tetor të vitit 2017-të. Organizatorët sigurisht nuk do të mund të organizojnë këtë ndeshje në një nga qytetet e mëdha si të Madridi apo Barcelona, duke qenë se stadiumet e këtyre qyteteve janë të një kapaciteti shumë të madh, për këtë arsye ndoshta do të mendohet një qytet më i vogël.
Gjithsesi, përpara se të mendohet për ndeshjen me Shqipërinë Spanja do të organizojë në shtëpi ndeshjen me Izraelin, Italinë dhe më pas me kuqezinjtë.