Extra “Ndihem eksperte në fushën e futbollit”, motra e kapitenit të Dinamos: Po...

“Ndihem eksperte në fushën e futbollit”, motra e kapitenit të Dinamos: Po përgatitem për emisionin tim në TV

Kur hyri në shtëpinë e “Big Brother 3” si një nga lojtaret më të forta e të bukura, Olta Sheta ishte studente. Tashmë, pas nëntë vitesh ajo shfaqet më në formë se kurrë, pasi po përgatitet të kthehet në ekran si moderatore. Thotë që ka hyrë në bisedime për të bërë një emision të sajin, ku nuk përjashtohet mundësia të jetë një program mbi sportin.

Si motra e futbollistit të Dinamos, ajo ka pasur arsye që ta ndjekë futbollin me pasion, duke u bërë vit pas viti një eksperte e vërtetë. Bashkë me një set fotosh artistike në këtë intervistë për “Panorama Plus”, para se të shfaqet në ekran në rolin e intervistueses, Olta Sheta bën rrëfimin e saj për emisionin ku do e shohim, fotot sensuale, trupin dhe ndjenjat.

Që nga loja e “Big Brother”, gati një dekadë më parë, të kemi parë shpesh të pozosh si modele, ku dukesh shumë bukur. Cilat janë sekretet e një forme të mirë fizike?

Të them të drejtën, këto kohë ia kam varur dhe pak palestrës, por jam me fat që kam një metabolizëm të mirë që nuk marr peshë dhe kjo më ndihmon dhe më bën të ndihem mirë.

Nëse flasim për atë që nuk shihet në një foto, ndjenjat dhe përjetimet. E ke gjetur dashurinë apo mendon se çështja e ndjenjave është më e vështira apo delikatja në jetë?

S’mund të them që çështja e ndjenjave është më e vështira në jetë, pasi ka probleme më të vështira se çështja e ndjenjave. Por mund të them që ka ndjenja momentale, ndjenja të përkohshme dhe të përhershme. Mendoj, kur arrijmë të gjejmë ndjenjën e përhershme, atëherë kemi gjetur dhe dashurinë.

Je shprehur se të ka pëlqyer gjithmonë fama. Deri tani ke qenë e pranishme në ekran si e ftuar, po a ekziston mundësia e një emisioni që ta drejtosh ti?

Çdo njeriu i pëlqen fama, nuk jam vetëm unë besoj! Po, është e vërtetë që kam qenë si e ftuar shumë herë nëpër emisione televizive. Mundësia ekziston, madje në këtë kohë jam në bisedime e sipër, e shpresoj që të realizohet si ide.

Si motra e një futbollisti, do të pëlqente të moderoje një show sportiv?

Vëllai im luan për ekipin e Dinamos, e si motra e një futbollisti që jam, normale që do të më pëlqente të drejtoja një emision sportiv. Madje, aty e ndjej veten shumë mirë, sepse kam një jetë që shikoj futboll dhe kjo më jep një avantazh më shumë rreth kësaj fushe.

Meqë audienca e futbollit dominohet nga meshkujt, në ditët që jetojmë, një grua përballë burrave ndjehet e barabartë apo superiore?

Meqë ishte 8 Marsi, ua uroj të gjitha grave ditën e tyre, por jo ta festojnë me valle e këngë e duke shkuar nëpër restorante. Ato duhet të dalin të protestojnë për të drejtat e tyre, pasi kjo besoj unë është arritje dhe jo këngët e vallet. Madje, shumë vetë do të më shajnë për çfarë po them, por ç’e do që këtu tek ne e kanë keqkuptuar 8 Marsin.

Shohim që ke realizuar një set fotosh të reja, ku shfaqesh shumë sensuale. Është e zeza ngjyra më provokuese për ty, nëse do e krahasonim me të kuqen?

Thonë që ngjyra e kuqe është më provokuese, por unë dashuroj më shumë ngjyrën e zezë, jam e pasionuar te e zeza dhe e përdor shumë. Por kjo nuk do të thotë që të kuqen e lë pas dore.

Nuse me të bardha është një ëndërr që do ta bësh një ditë realitet, apo një skenë që do e shohësh thjesht në ëndrra?

Nuse me të bardha (qesh) është një ëndërr që unë e kam pasur kur kam qenë e vogël dhe është një ëndërr që kam parë shpesh në ëndërr. Them se do të bëhet realitet kur të vijë momenti, por nuk do ta lë një ëndërr në sirtar.

PANORAMA PLUS