Ndërsa shumica e popullsisë europiane po jeton në kushte izolimi për shkak të kërcënimit nga koronavirusi, Suedia është gati i vetmi shtet që po lejon vijimësinë e normalitetit. Pas një dimri të gjatë, moti është ngrohur dhe qytetarët nuk i rezistojnë dot tundimit.
Të rinj e të moshuar duken të pashqetësuar teksa shijojnë rrezet apo shëtisin nëpër rrugë. Edhe klubet e natës kanë qenë të hapur në fundjavë, edhe pse grumbullimet me mbi 50 veta janë të ndaluara që prej së dielës.
Në Danimarkën fqinje grumbullimet kufizohen deri në 10 persona, ndërsa në Britaninë e Madhe nuk lejohet të takosh dikë tjetër përveç personave me të cilët jeton. Në Suedi numërohen gati 3500 të prekur nga koronavirusi dhe 105 viktima. Rregulla strikte nuk ka, por vetëm udhëzime që të sëmurët e të moshuarit të qëndrojnë në shtëpi, të lahen duart dhe të shmangen udhëtimet e panevojshme.
“Jemi të rritur dhe duhet të sillemi si tillë. Nuk duhet të përhapim panik dhe as zhurmë, por secili nga ne ka një përgjegjësi të madhe”, tha Kryeministri Stefan Lofven, ne një fjalim që u mbështet nga shumica e qytetarëve.
Ndërgjegjësim ka dhe rrugët janë më të qeta se normalisht. Kompania që menaxhon transportin publik thotë se numri i pasagjerëve ka rënë me 50% e gati gjysma po punojnë nga shtëpia. Suedezët e duan natyrën dhe autoritetet mendojnë se do të ishte e dëmshme për shëndetin mendor t’i detyrosh të qëndrojnë mbyllur. E megjithatë, koha do ta tregojë nëse qasja unike e Suedisë do të jetë më frytdhënësja në fund.