Personat që godasin mjekët ose punonjësit në detyrë shtetërore do të dënohen automatikisht me 1 deri në 5 vjet burg.
Qeveria ka miratuar disa ndryshime në kodin penal, të cilat ashpërsojnë dënimet për një sërë veprash duke hequr alternativën e dënimit me gjobë.
Në kodin aktual aktual, goditja e punonjësve të shëndetësisë dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet. Por me ndryshimet e reja, çdo goditje ndaj bluzave të bardha do të ndëshkohet automatikisht me burgim, i cili në varësi të rrethanave do të variojë nga 1 deri në 5 vjet. Paralelisht kodi i ri ka hequr konceptin e mjekimit të pakujdesshëm duke e zëvendësuar atë me neglizhencën në trajtimin mjekësor.
Sipas draftit, kur konstatohet neglizhencë në trajtimin mjekësor, që ka rrezikuar jetën e pacientit apo ka lënë pasoja në shëndetin e tij, mjeku përgjegjës do të dënohet me gjobë ose burgim deri në dy vjet. Ndërsa kur neglizhenca ka shkaktuar humbjen e jetës së pacientit atëherë punonjësi i shëndetësisë dënohet automatikisht me burgim deri në katër vjet, pa alternativë gjobë sic është sot.
Për punonjësit e tjerë të shtetit goditja në detyrë do të dënohet me burg nga 1 deri në 3 vjet, ndërsa kur kjo vepër kryhet ndaj funksionarëve të zgjedhur atëherë dënimi me burg varion nga 1 deri në 5 vjet.
I njëjti ndryshim ndodh edhe për veprën e kanosjes për shkak të detyrës. Aktualisht dënimi për këtë vepër është gjobë deri në 2 vjet burg, por në draftin e ri hiqet gjobat dhe kanosja për shkak të detyrës dënohet automatikisht me burg nga 1 deri në tre vjet.
Vec mbrojtjes së punonjësve publikë, drafti I ri ashpërson ndëshkimet edhe për organizatorët e lojrave të fatit, në kundërshtim me ligjin. Kjo masë ishte parlajmëruar publikisht nga kryeministri Rama dhe tani organizimi I lojrave të fatit nuk do të ndëshkohet më me gjobë, por përbën një vepër penale që dënohet autoamtikisht me burg nga 1 deri në 3 vjet. Ndërsa për pjesmarrësit në lojrat e fatiti dënimi varion nga gjoba deri në 1 vit burg.
Paketa e fundit e ndryshimeve është ajo që ashpërson ndëshkimet për shkeljen e rregullave në mbajtjen dhe shoqërimin e kafshëve. Qytetarët që kapen në shkelje të këtyre rregullave do të dënohen me gjobë nga 30 deri në 100 mijë lekë. Kur kafsha plagos njeri dënimi bëhet nga 6 muaj deri në 5 vjet burg, ndërsa kur shkakton vdekjen e personit atëherë dënohet nga 3 deri në 10 vjet burg.