Agron Gjekmarkaj do të jetë nënkryetar i Partisë Demokratike dhe i propozuar për nënkryetar të Kuvendit të Shqipërisë.
Kjo është miratuar në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të PD ku pas përjashtimit dhe pezullimit të disa deputetëve, PD ka riorganizuar edhe përbërjen në komisionet parlamentare.
Kryetar i grupit parlamentar do të jetë Enkelejd Alibeaj, që zëvendëson Alfred Rushajn.
Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha theksoi se me një vendim të përbashkët të tij dhe të Alfred Rushaj, është vendosur me dakordësi, që drejtimi i grupit, me sfidat e reja t’i kalojë Enkelejd Alibeajt.
Sipas zyrës së shtypit të PD, Basha u shpreh: “Edhe pse z. Rushaj nuk është sot prezent në mbledhje për arsye shëndetësore, unë dua ta falenderoj atë për gjithë punën e jashtëzakonshme që ka bërë gjatë kësaj periudhe dhe bashkërisht jemi duke punuar për një projekt të përbashkët politik për të ardhmen, që ndihmon dhe çon përpara sfidat që ka PD”.
Ndryshime janë propozuar edhe drejtimin e komisioneve parlamentare dhe në Byronë e Kuvendit:
Kryetar i Komisionit të Shëndetësisë: Grida Duma
Kryetar i Komisionit të Arsimit: Flutura Açka
Nënkryetar i Komisionit të Ligjeve: Dhurata Çupi
Sekretariati për Buxhetin: Xhelal Mziu (sekretar)
Sekretariati për Procedurat, Votimet dhe Etikën: Bledion Nallbati (anëtar)
Sekretariati për Statusin e Deputetit: Dashnor Sula (sekretar)
Sekretariati për Kërkimin Parlamentar, Bibliotekën dhe Botimet: Lindita Metaliaj (anëtar)
Në mbledhje u diskutua edhe lidhur me ngjarjet e 8 janarit në selinë blu.
Basha mësohet të jetë shprehur se përjashtimi nga partia “i organizatorëve të dhunës, nxitësve të dhunës, ekzekutorëve të dhunës, nuk ishte vendim i lehtë, por ishte vendimi i duhur’.
“Kryesia ka bërë thirrje për një pjesë tjetër që të gjejnë kurajën për t’u distancuar nga dhuna. Duhet ta bëjnë këtë, për demokratët, për PD, për Shqipërinë”, është shprehur Basha.